Flet shefi i shërbimit sekret të Maqedoni-së

Drejtoria për Sigurim dhe Kundërzbulim nuk ka informacione se a realizohet ose jo përgjim jolegal të institucioneve tjera në vend, tha numri “një” i DSK-së, Goran Nikollovski, pas përfundimit të mbledhjes së mbyllur të Komisionit për mbikëqyrje mbi punën e kësaj drejtorie në të cilën u rushqyrtuan raportet vjetore të DSK-së dhe të Agjencisë së Inteligjencës për vitin 2017.

Nikollovski tha se është biseduar për ndryshimet në ndjekjen e komunikimeve, për respektimin e afateve kohore për transferimin e pajisjeve për përgjim të ATO-së dhe për ndryshimin e metodologjisë së punës së kësaj drejtorie.

“Nuk kemi informacione se në institucione tjera përgjohet akoma. Atë që e kemi ne të garantuar me ligj, atë e bëjmë në bazë të Ligjit për ndjekje të komunikacioneve dhe të Agjencisë Teknike Operative. Gjithashtu kemi bërë disa telegrame konstruktive me të cilat po ndryshojmë “Vordingun” ose metodologjinë e punës. Me këtë dëshirojmë të ndryshojmë mentalitetin e shërbimit sekret”,- theksoi drejtori i DSK-së, Goran Nikollovski.

Nikollovski tha se DSK dhe PPS bashkëpunojnë për të zbardhur të vërtetën për sa i përket dyshimeve se ndoshta të punësuarit në DSK-së kanë ushtruar dhunë ndaj të akuzuarve në rastin “Sopot” për të pranuar fajin për të cilin janë akuzuar në atë kohë. Anëtarët e këtij komisioni diskutuan edhe për transparencë më të madhe të DSK-së dhe për vizitën e anëtarëve të këtij komisioni në hapësirat e DSK-së.

“Diskutuam për çështjen e vizitës së institucioneve nga anëtarët dhe zëvendës anëtarët e Komisionit. U morëm vesh që kjo vizitë të bëhet në kohë sa më të shpejtë. Pse nuk është bërë deri më tani dihet, arsyet janë objektive, opozita nuk ishte në Kuvend”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Pavle Boegoevski.

Ndërkohë në Komisionin e kuvendit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive u prezantuan raportet vjetore të Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në shkallë të dytë në fushën e mbikëqyrjes inspektuese dhe procedurës për kundërvajtje dhe të Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale për vitin 2017.

Të mërkurën prezantohet raporti gjashtëmujor i PPS-së dhe raporti vjetor i Avokatit të Popullit për vitin 2017.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu