Folën për të ardhmen e përbashkët Maqedoni-Shqipëri, Ahmeti: Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni

Kjo fotografi duke ngritur dolli është e vetmja pamje që doli nga brenda takimit të krerëve të partive shqiptare me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Fotografinë e publikoi Rama, i cili pas takimit nuk doli të flasë para mediave, por në Facebook shkroi:

GËZUAR! QOFTË NJË VIT I MBARË PËR SHQIPTARËT KUDO KU JANË #VëllazëriShqiptare”, shkruan Rama.

Pas takimit, kreu i integristëve Ahmeti tha se e gjithë vëmendja e takimin është përqendruar tek zhvillimet dhe rrugëtimi i përbashkët që kanë bërë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE, ndërsa është theksuar se rruga që na pret do të jetë shumë më e vështirë se ajo që është bërë deri më tani, prandaj duhet koordinim mes dy shteteve.

I pyetur rreth reagimit të VMRO-DPMNE-së, të cilët thanë se për çështjet shtetërore, interesat nacionale dhe vendimet për shtetin sillen në Maqedoni dhe Kuvendin e Maqedonisë, Ahmeti u përgjigj:

“Alternativë të vetme Maqedonia ka BE-në. Mendoj se alternativë e vetme janë ndryshimet kushtetuese dhe hapja e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE. Ndryshimet kushtetuese assesi nuk e dëmtojnë identitetin dhe komunitetin maqedonas. Identiteti maqedonas forcohet duke hapur kushtetutën, duke futur bullgarët si kategori kushtetuese, kroatët, malazezët dhe kështu forcojnë identitetin e tyre, neve na kanë pasur në përkrahje të identitetit, kulturës dhe historisë së tyre dhe do të na kenë. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni”, tha Ali Ahmeti, kryetar BDI.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tha se në takim janë përmendur edhe ndryshimet kushtetuese.

Ndër të tjera kemi biseduar edhe për atë. Është e qartë se shumica e partive shqiptare, as që diskutohet, se janë për ndryshimet kushtetuese dhe këtë e kanë deklaruar publikisht, nuk pa parti shqiptare në Maqedoni që është kundër ndryshimeve kushtetuese, me të vetmin qëllim që të fillojnë negociatat reale në nëntor me BE-në”, pohoi Arben Taravari, kryetar ASH.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se nuk kanë folur për diçka konkrete, përpos së ardhmes së përbashkët të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

Takim vëllazëror, i uruam vitin e ri njëri tjetrit dhe gjithë shqiptarëve. Biseduam për të ardhmen tonë të përbashkët për rrugën në Bashkimin Evropian, jo diçka më shumë konkrete. Faleminderit! Gëzuar!”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Në takim ishte edhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, por në fund nuk doli për të folur për media. Këtu mungoi kryetari i Besës, Bilall Kasami, i cili nuk shkoi, ndërsa nga partia thanë se Ahmeti dhe Grubi po e përdorin Ramën për t’i nxjerrë nga balta ku janë zhytur tash e dy dekada.

Me një reagim doli edhe deputeti i pavarur, Skënder Rexhepi – Zjedi, i cili fotografinë e mbrëmshme e ka bërë bardh e zi dhe e ka publikuar në Facebook me mbishkrimin “ju ngreni dolli – shqiptarët vuajnë”, duke radhitur disa çështje dhe problematika për shqiptarët në Maqedoni.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu