Në kuadër të bashkëpunimit me Kosovën të këtij institucion shtetëror të Arabisë Saudite që financon projekte zhvillimore në vende të tjera, është diskutuar edhe financimi i një projekti të ri në sektorin e shëndetësisë, përkatësisht ndërtimit të Spitalit të ri të Pulmologjisë në QKUK, me vlerë prej 20 milionë dollarësh.
Kështu u bë e ditur pas takimit të ministrit kosovar të Financave, Hekuran Murati dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, me përfaqësues të Fondit Saudit për Zhvillim.
Murati tha se gjatë takimit është diskutuar për përfundimin e segmentit të rrugës për Mitrovicë, i cili është financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim edhe më parë, si dhe për marrëveshjen e re ndërkombëtare për pjesën e dytë të këtij segmenti.
Murati: Me Fondin Saudit diskutuam edhe për financimin e Spitalit të Pulmologjisë
“Ne ishim në takim me Fondin Saudit për Zhvillim që kishim në rrugën për Mitrovicë për segmentin tashmë të përfunduar, i cili ka qenë i financuar nga fondi. Sic e dini tash kemi nënshkruar dhe marrëveshjen ndërkombëtare për pjesën e dytë të këtij segmenti që kompleton të gjithë segmentin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë. Gjatë takimit diskutuam dhe për projektin tjetër qe ka të bëjë me sektorin e shëndetësisë, spitali i ri i pulmologjise, prej 20 milion dollarë; në mënyrë qe të sigurohet një hapësirë moderne në hapësirat e QKUK-së”, tha Murati.
Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, bëri të ditur se Fondi Saudit për Zhvillim do të financojë me 12.3 milionë euro segmentin Smrekonicë-Mitrovicë, ndërsa pjesën tjetër të shpenzimeve do ta mbulojë Republika e Kosovës.
Basha: Kuvendi jofunksional pamundësoi realizimin e marrëveshjes me Fondin Saudit
“Po ashtu, për segmentin Smrekonicë – Mitrovicë, tani e kemi marrëveshjen me Fondin Saudit për Zhvillim, e cila është nga viti 2024, kurse marrëveshja, siç e dini, ka marrë kohë gati 2 vjet për shkak të një kuvendi jofunksional. Sipas kësaj marrëveshje, Fondi Saudit për Zhvillim do ta financojë këtë segment me 53 milionë rialësh sauditë, apo 12.3 milionë euro, ndërsa Republika e Kosovës do të kontribuojë mbi 3.7 milionë euro, pra diku në gjithsej projekti 16 milionë euro. Sigurohemi që projekti të shkojë pa pengesa dhe menjëherë pas përfundimit të këtyre procedurave do të fillojmë me procedurat e tenderimit për realizimin e këtij segmenti përfundimtar që lidh Prishtinën me Mitrovicën. Ky investim është i rëndësisë së veçantë, sepse mundëson përfundimin e kësaj lidhje mes Prishtinës-Vushtrrisë dhe Mitrovicës, me realizimin e këtij projekti do të ulet ngarkesa në trafik, do të krijohen kushte më të mira për lëvizjen e qytetarëve, por njëkohësisht do të përmirësohen edhe ambienti për zhvillim ekonomik”, tha Basha.
Përfaqësuesi i Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan bin Abdulrahman Al-Marshad, tha se janë të kënaqur me përfundimin e projektit të parë dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e partneritetit me Kosovën.
Al Marshad: Jemi krenarë që jemi partnerë zhvillimor i Kosovës
“Përgëzojmë për përfundimin e projektit të parë, rrugës Prishtinë–Mitrovicë, ndërsa vitin e kaluar nënshkruam edhe një marrëveshje për një segment tjetër të së njëjtës rrugë. Jemi shumë krenarë që jemi partner zhvillimor i Kosovës dhe dëshirojmë ta vazhdojmë këtë partneritet. Kemi diskutuar gjithashtu për një projekt shumë të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë. Presim me padurim të nënshkruajmë së shpejti marrëveshjen e kredisë për financimin e këtij projekti, ndoshta në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Patëm një diskutim shumë të frytshëm për projektet zhvillimore në Kosovë dhe ndikimin që ato kanë te qytetarët. Jemi këtu për të treguar gatishmërinë tonë për të mbështetur projektet infrastrukturore në Kosovë”, tha ai.
Përfundimi i këtij segmenti do të mundësojë kompletimin e lidhjes rrugore Prishtinë–Vushtrri–Mitrovicë.










