Edhe pse ai po përballet me një krizë të madhe politike në vendin e tij, pasi ai refuzoi të propozojë kandidaten për kryeministre Lucie Castets nga koalicioni i majtë, presidenti francez Emmanuel Macron vendosi të vizitojë Serbinë sepse bëhet fjalë për kontrata me vlerë disa miliardë euro për kompanitë franceze.
Kështu shkruan media kroate “Jutarnji List”, duke shtuar se zyrtarisht, ardhja e Macron përfaqëson një “thellim të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe”. “Ai pritet të kuptojë problemin e Kosovës, pra të mbyllë sytë kur Serbia bllokon hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare ose dërgon terroristë. Për më tepër, Macron do ta përdorë vizitën për të riafirmuar mbështetjen e Francës për rrugën evropiane të Serbisë, thonë ata në Beograd”, shkroi media kroate para se të zhvillohej vizita.
Kontrata miliarda euro
Nënshkrimi i kontratës për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale është arsyeja kryesore e vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në Serbi, raportojnë agjencitë botërore të lajmeve. Në më pak se pesë muaj pasi priti presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Paris, Macron vendosi për një vizitë dyditore në Serbi.
Para se të largohet, Macron, sipas njoftimit të RTS, duhet të hapë një pllakë që shënon përfundimin e punimeve shumëvjeçare për modernizimin e aeroportit “Nikola Tesla” të Beogradit, i cili mbahet me koncesion nga kompania franceze Vinci. Kompanitë franceze po përgatiten të ndërtojnë një stacion të ri metroje në Beograd dhe një impiant për trajtimin e ujërave të zeza, raporton AFP. Pasi deklaroi në prill se e ardhmja e Serbisë është në BE dhe askund tjetër, Macron vazhdon ofensivën e tij sharm ndaj Ballkanit Perëndimor, interpreton Euronews.
Largimi nga “orbita” ruse
Shitja e avionëve me vlerë tre miliardë euro është përpjekja e Macron për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të larguar Serbinë nga varësia nga armët ruse, interpreton Euronews. Sophie Gueudet, eksperte për Ballkanin Perëndimor, thotë se afrimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç në orbitën e BE-së mund të konsiderohet si një veprim i zgjuar diplomatik nga Macron. Por Florian Bieber, profesor i historisë dhe politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, paralajmëron se Serbia ka kultivuar marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën gjatë viteve të fundit. Kina ka investuar miliarda në Serbi, veçanërisht në miniera dhe industri.
Serbia është ende aleati më i ngushtë i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, analizon Euronews: për shkak të bashkëpunimit të fortë energjetik, kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës dhe besimit ortodoks. Sa herë që përditësohet partneriteti me BE-në, Beogradi gjithashtu arrin të balancojë marrëdhëniet e tij me Kinën dhe Rusinë: Serbia nuk do t’i vendosë kurrë të gjitha vezët e saj në një shportë, thotë Strahinja Subotiç, studiues i lartë në Qendrën për Politikë Evropiane në Beograd. “Përderisa Serbia është e varur nga Rusia për energji, Kremlini do të ketë ndikim”, tha Subotiç.
Hyrja në BE
Një tjetër temë kryesore është hyrja e Serbisë në BE, e cila në masë të madhe varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Kryesisht për shkak të kësaj, vendi është në statusin e kandidatit që nga viti 2012. Beogradi nuk e njeh sovranitetin e Kosovës, përpjekjet e shumta për t’u qetësuar dhe dialogu nën udhëheqjen e Brukselit kanë dështuar vitet e fundit. Duket se Macron është në anën e Serbisë, sipas Euronews.
Në fillim të gushtit, Franca dënoi “shumëzimin e veprimeve të njëanshme nga autoritetet e Kosovës”, të cilat “kërcënojnë përpjekjet për normalizim”. Vuçiç beson se duke blerë Rafale, i cili është një produkt shumë i shtrenjtë i industrisë ushtarake franceze, ai do të blejë favorin dhe mbrojtjen politike të presidentit Macron, tha për AFP analisti Vuk Vuksanović nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë.