Franca në alarm nga trazirat masive! Kryeministri paralajmëron shtetrrethim: Nuk do të sundohemi nga banditët

Franca po përballet me një situatë të tensionuar pas një fundjave të shoqëruar me protesta masive, përleshje me policinë dhe plaçkitje në disa qytete të vendit.

Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, ka njoftuar se autoritetet lokale do të kenë mundësinë të vendosin shtetrrethim të pjesshëm, me synimin për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset.

“Ne nuk do të diktohemi dhe sundohemi nga shkelësit e ligjit, nga hajdutët dhe nga banditët”, deklaroi Lecornu, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimit gjatë demonstratave.

Sipas raportimeve, më shumë se gjysmë milioni njerëz dolën në rrugët e Francës të shtunën. Protestat, të cilat nisën fillimisht nga pakënaqësitë për kushtet në shkolla dhe më pas u zgjeruan me kërkesa kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe kostos së jetesës, u shoqëruan në disa zona me përleshje, zjarrvënie dhe plaçkitje të bizneseve.

Vetëm në Paris, të dielën u kryen më shumë se 350 arrestime, ndërsa raportimet flasin për dëme të konsiderueshme materiale.

Kreu i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Francë deklaroi se rreth 2,000 biznese janë prekur drejtpërdrejt nga demonstratat.

Qeveria paralajmëron masa më të ashpra

Kryeministri Lecornu bëri të ditur se shtetrrethimet do të jenë të kufizuara në zona të caktuara dhe do të zbatohen sipas nevojave lokale.

Sipas tij, kjo masë është më e përshtatshme sesa shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, një mundësi që qeveria nuk e ka përjashtuar plotësisht.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, pranoi se policia nuk kishte arritur të parashikonte përmasat e trazirave.

Ai kishte ofruar dorëheqjen, por ajo u refuzua nga presidenti Emmanuel Macron, i cili kërkon ruajtjen e zinxhirit të komandës brenda forcave të sigurisë.

Situata mbetet veçanërisht e vështirë në Marsejë, ku qindra biznese raportohet se janë plaçkitur. Për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës, autoritetet kanë vendosur kufizime të përkohshme për grumbullimet publike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu