Presidenti amerikan Donald Trump, i cili për vite me radhë ka qenë një nga aleatët më të rëndësishëm politikë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kishte shmangur deri më sot mbështetjen publike për rizgjedhjen e tij, në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Izrael. Për një periudhë të gjatë, Trump ka plotësuar pothuajse të gjitha dëshirat e Netanyahut, të cilin e quan me përkëdheli edhe “Bibi”.
Për shembull, gjatë mandatit të tij të parë, ai zhvendosi ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, ndërsa më vonë njohu edhe sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e Golanit. Megjithatë, këtë verë, interesat politike të dy liderëve nisën të largoheshin nga njëri-tjetri, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi operacionet ushtarake izraelite dhe luftën me Iranin. “Bibi, më mirë të tregohesh i kujdesshëm, sepse së shpejti do të mbetesh vetëm”, tregoi Trump në qershor, duke kujtuar një bisedë me Netanyahun, gjatë së cilës i kishte kërkuar të ndalte shkëmbimin e sulmeve me raketa mes Izraelit dhe Iranit. Përçarja u bë edhe më e dukshme këtë muaj, kur Trump, në një intervistë për revistën Time, u përmbajt nga shprehja e mbështetjes së drejtpërdrejtë për kryeministrin izraelit.
Në fushatat e mëparshme zgjedhore, Netanyahu i kishte paraqitur marrëdhëniet e ngushta me Trumpin si një nga avantazhet e tij politike. “Nuk merrem më me politikën izraelite”, shpjegoi presidenti amerikan, sipas CNN. Në një intervistë për Newsmax, të publikuar të enjten, Trump tha se Netanyahu dëshiron përfshirjen e tij në zgjedhje, por sërish nuk njoftoi se do ta mbështeste. “Nuk i besoj askujt në botën e politikës”, u përgjigj ashpër presidenti amerikan, kur u pyet nëse i besonte Bibit. Megjithatë, sot Trump e cilësoi Netanyahun në platformën Truth Social si një “kryeministër të madh luftëtar”, duke vlerësuar se ai ka qenë “i fortë, trim dhe brilant, përballë një kundërshtimi të jashtëzakonshëm”. Ai shtoi se çdo lider tjetër i Izraelit do të ishte “zgjedhja e gabuar”. Disa muaj më parë, zyrtarë amerikanë i thanë medias Axios se ftohja e marrëdhënieve kishte ardhur për shkak se “Bibit i duhet lufta për të ruajtur rëndësinë e tij politike në Izrael, ndërsa Trumpit i duhet përfundimi i luftës për të ruajtur rëndësinë e tij politike në SHBA”.
Burime të njohura me bisedat mes dy liderëve i thanë CNN se Trump kishte shprehur pakënaqësi për sulmet izraelite në Liban dhe Gaza, duke paralajmëruar se operacione të tilla mund të rrezikonin përpjekjet e tij për paqe. Atë e shqetësonin gjithashtu pasojat ekonomike të luftës me Iranin. Disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë mendonin se Netanyahu po e zgjaste luftën me Iranin për të forcuar pozitat e tij politike përpara zgjedhjeve. Sipas të njëjtave burime, Trump ishte i vetëdijshëm për këtë mundësi, por megjithatë i kishte lënë kryeministrit izraelit njëfarë hapësire për të vepruar.
Besimi po zbehet nga të dyja palët
Netanyahu, lideri izraelit me qëndrimin më të gjatë në pushtet, i cili drejton vendin që prej vitit 2009, deri më tani nuk ka ndërmend të heqë dorë nga zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 27 tetori. Ndryshimi në këto zgjedhje është se edhe besimi i një pjese të opinionit publik izraelit ndaj presidentit amerikan është dobësuar. Sipas një sondazhi të Institutit për Politikat e Popullit Hebre, të realizuar në korrik, vetëm 7 për qind e izraelitëve deklaruan se kanë besim të madh te Trumpi sa i përket marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa 45 për qind thanë se nuk kanë aspak besim tek ai.
Burime nga partia e Netanyahut, Likud, konfirmuan për CNN se reputacioni i Trumpit në Izrael është dobësuar, veçanërisht mes votuesve të djathtë. “Mbështetja e tij nuk do ta ndihmonte domosdoshmërisht Netanyahun, ndaj ky i fundit nuk ka investuar shumë për ta siguruar atë”, tha një burim. Një tjetër shtoi se Trumpi “me siguri nuk do të mbështesë asnjë kundërshtar tjetër”, ndaj mbështetja e tij, teknikisht, “nuk është e domosdoshme, megjithëse është mirë ta kesh”. Edhe politikanët e opozitës nuk shfaqin shqetësim, ndonëse thonë se po ndjekin zhvillimet. “Një vit më parë, kampi ynë kontaktonte të gjithë njerëzit e afërt me Trumpin për të parandaluar mbështetjen e tij për Netanyahun. Tani kjo nuk ka më rëndësi.
Aftësia e tij për të joshur të tjerët nuk është më ajo që ishte”, shpjegoi një zyrtar i lartë i opozitës. Duket se ndryshimi i qëndrimit është i ndërsjellë, pasi sondazhet e reja tregojnë se ka ndryshuar edhe perceptimi i publikut amerikan ndaj Izraelit. Sipas disa sondazheve, bilanci mes qëndrimeve pozitive dhe negative ndaj Izraelit në opinionin publik amerikan ka rënë nga +51 pikë në korrik të vitit 2018 në -16 pikë në korrik të vitit 2026, një rënie prej 67 pikësh brenda tetë vitesh. Pavarësisht distancimit publik, marrëdhëniet mes dy liderëve nuk janë ndërprerë plotësisht. Sipas burimeve izraelite të cituara nga CNN, Trumpi dhe Netanyahu kanë diskutuar gjatë muajve të fundit mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve të reja ndaj Iranit.
Burime të sigurisë izraelite bëjnë të ditur se përgatitjet po vazhdojnë, por vendimi për një veprim të mundshëm ushtarak varet nga Trumpi. Netanyahu ka hedhur poshtë pretendimet se kërkon përshkallëzimin e konfliktit përpara zgjedhjeve. Në një intervistë për radion izraelite Army Radio, ai tha se një zhvillim i tillë nuk do t’i leverdiste, pasi kundërshtarët politikë mund ta fajësonin për sulme të mundshme iraniane me raketa ndaj Izraelit.










