Kompania izraelite, BlackCore, e cila dyshohet për ndërhyrje në zgjedhjet lokale në Francë, tani po përballet me akuza serioze për ndërhyrje edhe në proceset zgjedhore në New York dhe Skoci, si dhe për operacione në Angola dhe Togo, njoftoi shërbimi francez për zbulimin e dezinformatave, Viginum.
Muajin e kaluar, agjencia Reuters raportoi se autoritetet franceze dyshojnë se BlackCore qëndron pas një fushate online shpifjesh të drejtuar kundër tre kandidatëve për kryetar bashkie nga partia radikale e majtë dhe pro-palestineze La France Insoumise (LFI) gjatë zgjedhjeve lokale.
Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, së bashku me kryeministrin francez, Sebastien Lecornu, drejtori i Viginumit, Marc-Antoine Brillant, deklaroi se puna teknike e hetuesve i ka çuar drejtpërdrejt te kjo kompani izraelite. Më pas, Viginum publikoi një raport të detajuar mbi veprimtaritë e dyshuara të BlackCore në mbarë botën, raporton reuters.
“Ky model operimi nuk ishte i kufizuar vetëm në zgjedhjet komunale në Francë. Duket se është përdorur edhe për operacione të jashtme të ndërhyrjes digjitale në vende dhe rajone të tjera, si Angola, Togo, zgjedhjet në Skoci dhe zgjedhjet komunale në Nju Jork në vitin 2025”, tha Brillant.
Megjithatë, Brillant theksoi se ende nuk është e qartë se kush e ka angazhuar BlackCore për ndërhyrjen në Francë, pasi hetimi nuk ka arritur të identifikojë porositësit e fushatës.









