“Fshirja” e dinarit serb, Brukseli kërkon shpjegime nga Prishtina

Komisioni Evropian kërkon që Kosova të shpjegojë arsyet e futjes së euros si valutë e vetme, në të njëjtën kohë duke kërkuar që të shmangen lëvizjet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Peter Stano, zëdhënës i Komisionit.

“Ne me të vërtetë i bëjmë thirrje të dyja palëve që të diskutojnë këtë çështje në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, tha Stano.

Komisioni Evropian “vazhdon të studiojë dhe të kërkojë shpjegime për motivet dhe arsyet (për heqjen e dinarit dhe futjen e euros), si dhe për pasojat e mundshme të vendimit” të autoriteteve të Kosovës, tha Stano.

Euro në vend të dinarit

Deri më tani, dinari serb është përdorur në Kosovë në zonat ku jeton popullata shumicë serbe, të cilët marrin paga, pensione, ndihmë sociale apo lloje të tjera të përfitimeve nga buxheti i Serbisë fqinje.

Banka Qendrore e Kosovës njoftoi më herët se nga 1 shkurti në Kosovë, euro do të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për transaksione me para në dorë dhe në sistemin e pagesave.

Pas njoftimit zyrtar të Prishtinës, serbët e Kosovës besojnë se do të mbajnë pasojat më të mëdha. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu