Gashi: Janë plotësuar të gjitha parakushtet për fitoren e madhe

Jemi në prag të një momenti historik, ndërsa të gjitha parakushtet për fitore më 8 maj tashmë janë plotësuar. Kështu tha lideri i Alternativës Afrim Gashi gjatë takimin me qytetarë e aktivistë të kësaj partie në Çair, ndërsa i porositi aktivistët që të gjithë të angazhohen maksimalisht për ta realizuar fitoren. Me bashkimin e opozitës shqiptare dhe përkrahjen që po merr nga faktori shqiptar, sipas Gashit, po bëhet e mundur fitorja e shumëpritur ndaj politikave të dëmshme 20-vjeçare.

“Në do Zoti, të gjitha parakushtet për t’u bërë fitorja më 8 maj janë këtu. Katër parti janë bërë bashkë, Vetëvendosja është me neve, Vuçiqi me Ali Ahmetin, Sorosi me Artan Grubin”, tha Gashi.

Kreu i Alternativës theksoi se Alternativa është parti e njerëzve të mirë, të ndershëm e të moralshëm. Megjithatë, ai thotë se procesi i ndryshimit që po vjen më 8 maj bëhet para se gjithash për të mirën e të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Ky proces është përtej partive. Kjo fitore nuk bëhet për një parti, as për një koalicion. Bëhet për të mirën e të gjithë qytetarëve, të shqiptarëve të këtij vendi. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë, për shpresën tonë, për fëmijët e tanë. Ne duhet të bëjmë çmos që ta rikthejmë shpresën, që njerëzit të qëndrojnë këtu, të mund të jetojnë në shtëpitë e tyre”, tha Gashi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu