Gati për përballjen e madhe ndaj Polonisë, Silvinjo i beson shpirtit luftarak të kuqezinjve

Polonia do të mirëpresë Shqipërinë në Varshavë për një ndeshje tepër të rëndësishme kualifikuese për Euro 2024 mbrëmjen e sotme. Pasi humbën ndeshjen e tyre hapëse, polakët kanë nevojë për një përgjigje të shpejtë. Për Poloninë humbja në ndeshjen më të vështirë të tyren në grup nuk mund të jetë edhe me aq shumë rëndësi nëse sot arrijnë të marrin një fitore ndaj Shqipërisë në shtëpi.

Gjithsesi, Shqipëria përfaqëson kërcënimin më të madh të Polonisë për një përfundim në dy vendet e parë të grupit, kështu që kjo ndeshje ka marrë një rëndësi të madhe pavarësisht se është ende herët në grup. Gjashtë fitore radhazi kundër Shqipërisë mund t’i japin besim të plotë Polonisë.

Shqipëria do të bëjë pa disa lojtarë të rëndësishëm, si Xhuliano Skuka i cili nuk u grumbullua nga trajneri brazilian. Ardian Ismajli është dashur të tërhiqet nga skuadra për shkak të një dëmtimi, por dyshja tepër e rëndësishme si Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami do të jenë në dispozicion të plotë. Armando Broja, Keidi Bare dhe Berat Djimsiti gjithashtu janë mungesa shumë të rëndësishme për kombëtaren tonë të Shqipërisë.

Megjithatë, një besim i plotë mbizotëron në shtëpinë tonë, pasi lojtarët e grumbulluar nga Silvinjo janë në një gjendje shumë të mirë fizike dhe vijnë nga suksesi në ligat përkatëse të cilët luajnë me klubet e tyre. Qendra e vëmendjes momentalisht bie mbi Myrto Uzunin. Sulmuesi shqiptar që aktivizohet me Granada në La Liga 2 është në një formë të jashtëzakonshme këtë sezon. Në 30 ndeshje të luajtura këtë sezon deri më tani, Uzuni ka mundur të shënojë 20 herë dhe të asistojë 4 herë. Shifra tepër të larta për sulmuesin kuqezi i cili edhe sot pritet të jetë deciziv në këtë ndeshje të vështirë.

Sytë janë edhe nga ish-dyshja e Empolit, Asllani dhe Bajrami. Fantazia e tyre është tepër e spikatur dhe nëse mbrëmjen e sotme ata janë në formën e duhur, gjërat priten të shkojnë mirë në mesfushë dhe në sulm.

Silvinjo do të debutojë sot në krye të stolit kuqezi në një sfidë të vështirë, por trajneri brazilian është shprehur disa herë optimist për këtë grup lojtarësh të cilët ai i konsideron si tepër të rëndësishëm. Silvinjo ka karkuar nga lojtarët e tij që të luajnë me shpirt dhe vetëm kështu mund të arrihet rezultati pozitiv. Në rast fitoreje mbrëmjen e sotme, Shqipëria do të merrte një shtysë të madhe për të ecur përpara në këtë rrugëtim, për ta përsëritur edhe një herë ëndrrën e arritur për herë të parë para pak vitesh.

Rreth 600 tifozë shqiptarë priten të jenë në stadiumin e Varshavës për të mbështetur kombëtaren e Shqipërisë, të paktë në numër, por mjaftueshëm për të dhënë dridhërimat emocionale mbi 11 lojtarët tanë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu