“Mund ta arrijë nivelin e Mbappes”, ish-lojtari i Real Madridit befason me deklaratën për Malen

Legjenda e futbollit holandez, Rafael Van Der Vaart, ka ripërsëritur bindjen e tij se Donyell Malen ka potencialin për të arritur nivelin e Kylian Mbappes, ndërsa sulmuesi po kalon një formë fantastike te Roma.

“Gjithmonë kam thënë se Malen ka potencialin për të arritur nivelin e Kylian Mbappes. Thjesht, jo gjithmonë arrin ta tregojë këtë”, deklaroi Van Der Vaart në emisionin “Rondo”, në televizionin holandez Ziggo Sport, teksa po diskutohej paraqitja e Malenit me katër gola në fitoren 5-1 të Romës ndaj Parmës fundjavën e kaluar në Serie A.

“Nuk më vjen turp ta them këtë. Ndoshta njerëzit do të qeshin me mua, por unë vërtet besoj se ai mund të arrijë nivelin e Mbappes”, shtoi ish-reprezentuesi holandez, duke e krahasuar sërish potencialin e Malenit me atë të yllit francez të Real Madridit, i cili përfundoi në vendin e dytë në garën për Topin e Artë 2026, pas Harry Kane të Bayern Munichut.

Megjithatë, Van Der Vaart vlerëson se Malenit i mungon vazhdimësia dhe përkushtimi i nevojshëm për të arritur atë nivel.

“Ai është pak më i relaksuar nga ana mendore sesa Mbappe”, tha holandezi me shaka, duke shtuar: “Pas atyre katër golave, ai do t’i pushojë dy ndeshjet e ardhshme”.

Sipas tij, për të arritur statusin e yllit të Real Madridit, Maleni duhet ta largojë plotësisht këtë tendencë për të mos dhënë maksimumin në çdo ndeshje.

Malen iu bashkua akademisë së Arsenalit nga Ajaxi në moshën 16-vjeçare, ndërsa nga vera e vitit 2021 deri në janar të vitit 2025 ishte pjesë e Borussia Dortmundit. Më pas u transferua te Aston Villa, por nuk ishte i kënaqur me rolin që kishte në skuadër, pasi klubi anglez e aktivizonte kryesisht si zëvendësues. Kështu, ai u largua nga Birminghami pas vetëm një viti.

27-vjeçari po kalon një sezon të jashtëzakonshëm me Romën, me 16 gola dhe pesë asistime në 15 paraqitje në të gjitha garat. Me 12 gola në kampionat, ai kryeson listën e golashënuesve në Serie A.

Për më tepër, Maleni ka shënuar 26 gola në Serie A gjatë vitit kalendarik 2026, duke u bërë lojtari i parë i Romës në 66 vjet që realizon më shumë se 25 gola në kampionat brenda një viti. Para tij, këtë shifër e kishte arritur Pedro Manfredini, i cili kishte shënuar 26 gola në vitin 1960.

Sulmuesi holandez ka kontratë me Romën deri në vitin 2030, pasi klubi italian e bleu përfundimisht verën e kaluar për një shumë totale prej 27 milionë eurosh, pas periudhës së huazimit./Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu