Anëtarë të Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë më 1 shtator do të protestojnë para Gjykatës Themelore në Shkup për lirimin e gazetarit Zoran Bozhinovski. Pikërisht më 1 shtator është caktuar seanca e parë për gjykimin e Bozhinovskit, transmeton Zhurnal.
Para dy ditësh, me letër drejtuar deri te kryetari dhe prokurori publik, Federata ndërkombëtare e gazetarëve bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Zoran Bozhinovskit.
Bozhinovski mbetet në kompetencë të Prokurorisë Publike, edhe pse ai është pjesë e lëndës “Spiuni”, i cili me vendim të Gjykatës së Apelit i është dhënë në kompetencë Prokurorisë Speciale Publike. Në seancën e 1 shtatorit sipas gjitha gjasave do të paraqiten prokurorë nga të dy prokuroritë.
Bozhinovski u arrestua më 21 prill pas ekstradimit të tij nga Serbia dhe prej atëherë është në paraburgim. Herën e parë, në nëntor të vitit 2013, u arrestua në Novi Sad me urdhërarrest nga Interpoli, dhe kaloi më tepër se një vit në paraburgim ekstradimi. Ai para tre viteve u lëshua në liri dhe e priste vendimin për azil nga autoritetet serbe.
Gazetari ngarkohet për shoqërim kriminal, spiunazh dhe shantazh.