Gent Cakaj përgëzon homologun e tij të sapozgjedhur si Ministër i Jashtëm Bujar Osmanin

Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj përgëzoi Bujar Osmanin për zgjedhjen e tij ministër i ri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, duke shprehur gatishmëri për të rritur dinamikën për anëtarësim në BE, informon gazeta KOHA.

Cakaj shkroi në publikimin në Fejsbuk se ka pasur bisedë telefonike me “diplomatin e parë shqiptar të Maqedonisë të Veriut” dhe se me të në krye të diplomacisë, bashkëpunimi mes dy vendeve do të përforcohej dhe dinamika e anëtarësimit në BE do të përshpejtohej.

“Sot pata bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë të Veriut, z. Bujar Osmani. I urova sukses të madh në mandatin e tij historik si diplomat i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Për më tepër, si zëvendëskryeministër dhe kryenegociator, ai mori përgjegjësi tjetër historike – udhëheqjen politike dhe diplomatike në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shkroi Cakaj.

Ai thekson se “me Bujarin në krye të diplomacisë së Maqedonisë të Veriut, ne do të vazhdojmë të punojmë në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e dinamikës politike të anëtarësimit në BE”. (koha.mk)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu