Ribotim i pjesshëm i intervistës së ish presidentit të SHBA, që shoqëroi daljen e librit të tij, “Decision Points” dhe ku flet me detaje për ditën e sulmeve terroriste. Bota.al, 15 vjet pas sulmeve terroriste që ndryshuan një herë e përgjithmonë Amerikën dhe të gjithë botën, riboton pjesë të intervistës së presidentit për “The Atlantic”.
Flasim pak për probleme që shndërroheshin në përgjegjësinë tuaj. Ishte e martë, 11 shtator…
Po.
Ju ishit në një shkollë në Florida.
Po dëgjoja disa fëmijë që lexonin librin. Shefi i Stafit, Andy Card erdhi dhe më pëshpëriti në vesh: “Një avion i dytë ka goditur Qendrën Botërore të Tregtisë. Amerika është sulmuar”.
Në filmime dukeni që keni marrë lajmin dhe vazhdoni të qëndroni edhe shtatë minuta.
E vërtetë. Vendosa të mos kërcej nga vendi dhe të krijoj një skenë kaotike, sepse njerëzit do të ishin duke parë reagimin tim.
Po, por është thikë me dy presa, sepse mbështetësit e Bushit thonë: “Ai qëndroi aty për të treguar qetësi”. Ndërsa kritikët thonë: “Ishte në gjendje shoku”.
Nuk dua të debatoj me kritikët për të thënë isha në gjendje shoku apo jo. Nuk isha. Ata mund të lexojnë librin dhe le ta nxjerrin vetë konkluzionin.
Në libër, ju shkruani se i thatë stafit tuaj: “Shkojmë. Unë jam Presidenti. Shkojmë në Uashington”. Por ata nuk ju lanë. A nuk mundeshit të vendosnit ju dhe jo ata në ato momente?
Mundesha, por ekziston problemi i vazhdimësisë së qeverisë. Kështu që, Air Force One qëndroi larg nga Capitoli, duke fluturuar fillimisht në Louisiana… më pas Nebraska.
Në një pikë atë mëngjes ju dhatë një urdhër, ndërkohë që situata ishte ende kaotike.
Po.
Askush nuk e dinte në kish avionë të tjerë. Dhe juve ju desh të jepni një urdhër që ushtria e SHBA kish autoritet të godiste dhe rrëzonte çdo avion që nuk i përgjigjej komandës për tu ulur.
E vërtetë. Kishim marrë vendimin të pastronim qiejt nga të gjithë mjetet ajrorë. E vetmja rrugë e sigurt ishte të thoshim: “Asnjë avionë në ajër dhe çdo avion që shfaqet dhe nuk i përgjigjet shoqërimit me avionë gjuajtës do të rrëzohet”.
Në fakt, kur avioni i fluturimit 93 ra në fushën në Shanksville, kishte një moment kur pyesnit veten nëse ishte rrëzuar për shkak të urdhrit tuaj.
Ishte një ndjesi shumë trazuese. Pastaj mësova që 93 ishte rrëzuar për shkak të heroizmit të disa amerikanëve. Një akt vërtetë heroik sulmimi i kabinës së pilotit dhe rrëzimi i avionit për të shpëtuar jetët e të tjerëve.
Disa ditë pas 11 shtatorit ju mbajtët një fjalim në Katedralen Kombëtare. Por teksa mbanit atë fjalim shumë të rëndësishëm dhe të fuqishëm, ju shkruani se i vetmi vend ku nuk mundeshit të hidhnit sytë ishte stoli ku qëndronin ulur nëna, babai dhe Laura.