Gjermania po përgatitet për një valë protestash të të rinjve kundër politikave të qeverisë së kancelarit Friedrich Merz. Më 31 tetor, mijëra nxënës, studentë dhe të rinj profesionistë pritet të dalin në rrugët e qyteteve kryesore gjermane, duke kundërshtuar shkurtimet e shpenzimeve sociale, rritjen e kostos së jetesës dhe planet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Në krye të mobilizimit qëndron lëvizja e re “Gen Z Regelt” (Gjenerata Z merr situatën në dorë), e cila ka publikuar sot një letër të hapur drejtuar kancelarit Merz, duke e akuzuar qeverinë se po shpërfill shqetësimet e brezit të ri dhe po rrezikon të ardhmen e tij.
“Nuk mund të rrimë më duarkryq duke parë se si ju e vini në lojë të ardhmen tonë. Politikat tuaja të shtrëngimit ekonomik po na e heqin çdo shpresë”, thuhet në letrën e publikuar në internet.
Organizatorët kritikojnë ashpër politikat ekonomike të qeverisë, shkurtimet në sektorin social, mungesën e masave të mjaftueshme për përballimin e krizës klimatike dhe mënyrën se si autoritetet po trajtojnë shqetësimet e të rinjve lidhur me luftërat dhe konfliktet ndërkombëtare.
Një tjetër pikë që ka shkaktuar kundërshtime është mundësia e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të cilin të rinjtë e konsiderojnë të papranueshëm.
“E gjithë kjo ndodh ndërsa ju refuzoni të na dëgjoni, nuk i merrni seriozisht frikërat tona dhe nuk i merrni parasysh kundërshtimet tona. Na erdhi në majë të hundës!”, theksohet në letër.
Lëvizja paralajmëron se protestat e 31 tetorit do të jenë një demonstrim i vendosmërisë së brezit të ri për të kërkuar ndryshimin e politikave qeveritare.
“Politikat tuaja po e çojnë të ardhmen tonë drejt një rruge pa krye! Prandaj, më 31 tetor, ne do të dalim në rrugë në më shumë se 20 qytete, në mënyrë paqësore, me zë të lartë dhe me vendosmëri”, deklarojnë organizatorët.
Sipas nismës, demonstratat kryesore janë planifikuar në Berlin, Hamburg, Mynih, Frankfurt dhe Këln, ndërsa tubime të tjera pritet të zhvillohen në 27 qytete të tjera gjermane. Organizatorët pretendojnë se mbi 150 mijë persona janë regjistruar tashmë në internet për t’iu bashkuar protestave, një shifër që ende nuk përfaqëson pjesëmarrjen faktike.
Në qendër të kërkesave të tyre është rritja e financimeve për arsimin, garantimi i një jetese të përballueshme dhe shpërndarja më e drejtë e barrës ekonomike. Të rinjtë kërkojnë që qeveria të mos i përballojë vështirësitë buxhetore përmes shkurtimeve që, sipas tyre, rëndojnë mbi brezat e rinj.
Ata kërkojnë gjithashtu mbrojtje më të fortë të të drejtave themelore, kundërshtojnë zgjerimin e mbikëqyrjes shtetërore dhe bëjnë thirrje për masa konkrete kundër ndryshimeve klimatike.










