Bundesrati paraqet një projektligj që do të ndalonte mohimin e të drejtës së ekzistencës së Izraelit. Tani në rend është Bundestagu.
Sloganet që kontestojnë ekzistencën e shtetit të Izraelit mund të shihen përsëri si grafite në Berlin. Thirrje kundër shtetit izraelit mund të dëgjohen edhe në demonstratat e solidaritetit me popullsinë civile palestineze. Bëhet fjalë për mohimin e shtetit të Izraelit, për shkatërrimin e tij. Deri më tani, situata të tilla në përgjithësi nuk kanë pasur pasoja penale. Tani Bundesrati këmbëngul për një ndalim ligjor.
Përfaqësuesit e 16 landeve miratuan projektligjin e paraqitur nga landi Hessen në seancën e tyre të fundit para pushimeve të verës. “Ne tani po e paraqesim këtë projektligj me shumë vetëdije, sepse më në fund duhet të kalojmë nga fjalët në veprime legjislative”, tha Ministri i Drejtësisë i Hessenit, Christian Heinz, para votimit.
“Kushdo që mohon publikisht të drejtën e Izraelit për të ekzistuar…”
Sipas propozimit të Bundesratit, “kushdo që publikisht ose në një tubim mohon të drejtën e shtetit të Izraelitpër të ekzistuar ose bën thirrje për shfuqizimin e tij” duhet të ndëshkohet. Megjithatë, kjo duhet të jetë e dënueshme vetëm nëse bëhet në një mënyrë që inkurajon gatishmërinë për të kryer dhunë antisemite ose masa arbitrare.
Dispozitat ekzistuese penale të ligjit gjerman, të cilat, për shembull, lidhen me nxitjen e urrejtjes kundër shtresave të popullsisë ose përdorimin e simboleve të organizatave terroriste, nuk janë të mjaftueshme, thuhet në memorandumin shpjegues të projektligjit.
Ministri i Drejtësisë i Hessenit, Heinz, tha se që nga 7 tetori 2023, që nga “sulmi barbar” i Hamasit ndaj hebrenjve, kjo urrejtje ka “shpërthyer” në të gjithë botën, përfshirë Gjermaninë. Antisemitizmi “manifestohet publikisht në rrugët tona”. Politikani i CDU-së paralajmëroi se në rrugët e Gjermanisë prapë paraqiten persona që përhapin urrejtje ndaj hebrenjve.
Heinz tha se projektligji nuk drejtohet në mënyrë të qartë kundër lirisë së shprehjes ose kritikës ndaj qeverisë izraelite. Ai nuk pengon as diskutimet rreth një zgjidhjeje politike paqësore në Lindjen e Mesme. E gjitha kjo i përket një demokracie liberale. Ai e përshkroi projektligjin si “të formuluar shumë qëllimisht në një mënyrë shumë të ngushtë”.
Bëhet fjalë për dënimin e “thirrjeve që nxisin dhe lavdërojnë dhunën” ndaj Izraelit. Sundimi i ligjit duhet të sigurohet. Vendi nuk duhet të “qëndrojë përsëri duarkryq” kur urrejtja ndaj hebrenjve “manifestohet në rrugët tona”.
Ministri Heinz ishte i vetmi që foli për këtë pikë të rendit të ditës. Kur Hesseni paraqiti iniciativën për shqyrtim në maj, Ministri i atëhershëm i Brendshëm i qeverisë së landit Baden-Württemberg, Thomas Strobl (CDU), gjithashtu mori fjalën dhe mbështeti qëllimin. Ai më pas përmendi në mënyrë të qartë sloganin “Nga lumi në det”.
Tani, gjatë votimit në korrik, disa lande kanë bërë një deklaratë për procesverbal, se qeveria gjermane duhet të propozojë një zgjidhje në mënyrë që Bundestagu, si ligjvënës, të mund të miratojë një ligj që është “i besueshëm dhe në përputhje me kushtetutën”. Kjo në fund të fundit mbështet këmbënguljen e Hessenit.
Ligjet e Bundesratit
Ndodh herë pas here që iniciativa të tilla të ardhura nga Bundesrati, pasi qeveria gjermane të ketë dhënë mendimin e saj, t’i dërgohen Bundestagut. Megjithatë, është jashtëzakonisht e rrallë që një propozim i tillë të zbatohet deri në fund. Në përbërjen aktuale, të 21-të të Bundestagut, i cili funksionon që nga pranvera e vitit 2025, Bundesrati miratoi 45 projektligje dhe ia përcolli ato qeverisë – por asnjë nga këto propozime nuk është bërë ligj deri më tani.
Këshilli Qendror i Hebrenjve ka këmbëngulur prej kohësh që të ndërmirren masa. Vendimet e qeverisë federale për të kritikuar qeverinë izraelite “janë absolutisht legjitime”, tha Presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve, Josef Schuster, në një intervistë me Deutsche Welle në mesin e qershorit. Por nuk është legjitime “kur vihet në pikëpyetje e drejta e Izraelit për të ekzistuar ose kur vendi demonizohet”.
Në prag të seancës së Bundesratit, rreth 30 profesorë të drejtësisë folën – gjë që është mjaft e pazakontë – dhe e përshkruan ndërmarrjen si jokushtetuese. Sipas tyre, shqetësimet për rritjen e antisemitizmit dhe dhunës antisemite janë të kuptueshme, por një mendim i caktuar nuk mund të ndalohet nga ligji i përgjithshëm. Edhe mendimi i një eksperti nga Shërbimi Shkencor i Bundestagut ka ngritur dyshime nëse kjo iniciativë është në përputhje me kushtetutën.
Kohn-Bendit thotë jo
Në mesin e qershorit, Daniel Cohn-Bendit, vetë hebre dhe politikan i të Gjelbërve gjermano-francezë, i cili ishte anëtar i Parlamentit Evropian nga viti 1994 deri në vitin 2014, foli në një intervistë me FAZ rreth qëllimit të Hessenit dhe e përshkroi projektligjin si “thelbësisht të gabuar”.
“Shumë njerëz janë kritikë të ashpër ndaj Izraelit, përfshirë vetë izraelitët. Jo të gjithë janë antisemitë”, tha Cohn-Bendit. Ai përmendi filozofen Judith Butler, e cila mbështet lëvizjen e bojkotit anti-Izrael BDS. Cohn-Bendit tha se BDS është “një budallaqe” dhe me përfaqësim “ideologjik plotësisht të gabuar. Por Butler nuk është antisemite”.
Në thelb, është një mosmarrëveshje midis lirisë së mendimit dhe antisemitizmit. Sipas Ligjit Bazë (Neni 5), liria e mendimit mund të kufizohet vetëm nga “ligje të përgjithshme”, të cilat për këtë arsye nuk drejtohen kundër një mendimi specifik. Sipas kritikëve, ky do të ishte pikërisht rasti tani. Propozimi ndëshkon vetëm mohimin e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar. Kushdo që do të sfidonte të drejtën e shteteve të tjera për të ekzistuar do të mbetej i pandëshkuar.
Arsyetimi i shtetit gjerman
Tani Hesseni beson se në debatin aktual ekziston një lidhje historike dhe politike midis regjimit Nacionalsocialist, Holokaustit, themelimit të Izraelit dhe mohimit të së drejtës së tij për të ekzistuar. E drejta e Izraelit për të ekzistuar është në esencën e politikës gjermane. Kushdo që e mohon këtë të drejtë për të ekzistuar, në këtë mënyrë kundërshton njëkohësisht identitetin kushtetues të Gjermanisë.
Tani është e qartë se debati politik do të zgjasë me muaj. Është e mundur që mosmarrëveshja, rreth çështjes nëse një ligj i tillë do të shkelte të drejtat dhe liritë themelore, në një moment të arrijë në Gjykatën Kushtetuese në Karlsruhe. .DW










