Në Gjermani po rritet kërkesa për këshilltarë tatimorë, ndërsa kjo profesion po shndërrohet në një nga më të kërkuarat në tregun e punës. Arsyeja është e thjeshtë – miliona qytetarë çdo vit duhet të përmbushin detyrimet e tyre tatimore, ndërsa sistemi tatimor gjerman mbetet një nga më komplekset në Evropë.
Deri më 31 korrik, miliona gjermanë duhet të dorëzojnë deklaratat e tyre tatimore, ndërsa gjithnjë e më shumë prej tyre vendosin të kërkojnë ndihmë profesionale në vend që ta kryejnë vetë procedurën. Në të njëjtën kohë, kompanitë gjithnjë e më shpesh angazhojnë ekspertë tatimorë për planifikim financiar, investime dhe përputhje me rregulloret ligjore, duke rritur më tej kërkesën për këtë profesion.
Sipas një analize të Institutit Ekonomik Gjerman (IW), këshilltarët tatimorë janë ndër dhjetë profesionet ku mungon më së shumti kuadër i kualifikuar. Vlerësimet tregojnë se gjatë vitit të kaluar kanë munguar rreth 14 mijë këshilltarë tatimorë, ndërsa shoqatat profesionale vlerësojnë se mungesa reale është edhe më e madhe dhe arrin rreth 25 mijë ekspertë.
Ekspertët theksojnë se kjo situatë nuk është befasuese. Sistemi tatimor gjerman është jashtëzakonisht kompleks dhe ndryshon shpesh, prandaj si qytetarët ashtu edhe kompanitë gjithnjë e më shumë mbështeten te këshilltarët profesionalë për të shmangur gabimet, kostot shtesë ose gjobat.
Të dhënat e shoqatës gjermane për ekonominë digjitale Bitkom tregojnë se gjatë vitit 2024, rreth 17 për qind e afërsisht 15 milionë tatimpaguesve kanë përdorur shërbimet e një këshilltari tatimor. Kjo paraqet një rritje prej pothuajse 25 për qind krahasuar me vitin paraprak, duke treguar qartë nevojën gjithnjë në rritje për këtë lloj ndihme profesionale.










