Gjithnjë e më shumë kandidatë të pavarur, zyrtarizohet bashkëpunimi i VMRO-së me ASh-AAA-në

Grumbullimi i nënshkrimeve për kandidatët e pavarur për kryetarë komunash dhe lista të këshilltarëve zgjat deri më 30 gusht. Të punësuarit në njësitë rajonale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) sot dhe nesër do të punojnë një orë më shumë, ndërsa më 30 gusht, do të punojnë deri në orën 24, paralajmëruan dje nga KSHZ.

Sipas të dhënave të cilat i publikoi dje KSHZ, deri më tani 15 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash i kanë grumbulluar nënshkrimet e nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, ndërsa nënshkrime kanë grumbulluar edhe 30 lista të pavarura të këshilltarëve në komuna të ndryshme në njësitë rajonale të KSHZ-së.

Paralelisht rrjedh edhe kontrolli në Listën Zgjedhore, si dhe promovimi i kandidatëve, si t; pavarur ose me mbështetjen e partive dhe koalicioneve. Bashkëpunimi më i ri në zgjedhjet lokale, i publikuar dje, është ndërmjet partive të opozitës, VMRO-DPMNE, Aleanca dhe Alternativa.

Liderët e VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Hristian Mickovski, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, dje në takim kanë arritur marrëveshje për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat duhet të mbahen në tetor, njoftuan partitë në kumtesën e përbashkët. Për hollësitë për bashkëpunim do të dakordohen organizatat komunale të tri partive.

Tema e këtij takimi ishin zgjedhjet e ardhshme lokale dhe mundësia për bashkëpunim opozitar midis këtyre partive, me motiv kryesor luftën kundër krimit dhe korrupsionit në komunat e udhëhequra nga LSDM-BDI. Tre kryetarët vunë në dukje se duke u nisur nga raporti i Transparency International, sipas të cilit Maqedonia renditet në vendin e 111-të, vend ky më i keqi deri tani, bashkëpunimi i opozitës është i pashmangshëm, në mënyrë që njësitë e vetëqeverisjes lokale të çlirohen nga qeverisja korruptive, nga harxhimi jotransparent i të hollave të qytetarëve dhe keqpërdorimi i pushtetit nga qeverisja LSDM-BDI në të gjitha nivelet e qeverisjes”, thuhet në kumtesën e përbashkët të tre partive.

Kryetari aktual i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili paralajmëroi se do të kandidojë për mandat të ri katërvjeçar si kandidat i pavarur, informoi se sipas informacioneve që ka ai tashmë e ka mbledhur numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për kandidaturën e pavarur.

Sipas informacioneve të fundit që mora në orën 13, nënshkrimet e mbështetjes nga qytetarët për një mandat të ri katërvjeçar si kryetar i Kumanovës tashmë janë mbledhur. Falënderoj të gjithë qytetarët që më mbështetën dhe besojmë se në katër vitet e ardhshme do të vazhdojmë me punën këmbëngulëse për të ndryshuar fytyrën e Kumanovës dhe për të përshpejtuar zhvillimin e saj”, tha Dimitrievski, pasi e dorëzoi kandidaturën në njësinë lokale të KSHZ-së.

Sipas paralajmërimeve, Dimitrievki do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale me një listë të pavarur këshilltarësh, dhe mbajtësja do të jetë grua. Partia e tij LSDM vendosi të shkojë me një kandidat tjetër për kryetar të kësaj komune, tani për tani nuk dihet se kush do të jetë kundërshtari i Dimitrievskit në zgjedhjet lokale në tetor.

LSDM-ja do ta japë ofertën më të mirë për qytetarët e Kumanovës në këto zgjedhje lokale, ndërsa emri i kandidatit dhe lista e këshilltarëve do të shpallen së shpejti. Lëvizja e Dimitrievskit e lehtëson zgjedhjen e qytetarëve. Ai që u kthen shpinën qytetarëve, mbështetësve të opsionit demokratik dhe progresiv, anëtarësisë dhe bazës së LSDM -së, nuk mund të jetë opsioni më i mirë për njerëzit e Kumanovës“, reaguan sot nga partia e tij amë.

Edhe kandidatja e pavarur për kryetare të Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, njoftoi dje se kishte mbledhur nënshkrimet e nevojshme për kandidaturën e saj. Duke falënderuar banorët e Shkupit për nënshkrimet, ajo kërkoi mbështetje nga të gjithë qytetarët dhe partitë dhe theksoi se ajo hyn në këtë garë me zemër të pastër dhe vizion të qartë.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), siç paralajmëroi zëvendëskryeministri i parë dhe funksionari i partisë, Artan Grubi, më 4 shtator BDI-ja në Gostivar në mbledhjen qendrore do t’i bëjë të ditur kandidatët për kryetarë të komunave në 18 komuna ku për zgjedhjet lokale partia do të ketë kandidatët e saj.

Ai theksoi se është i bindur për fitore absolute në 16 prej tyre, ndërsa pret fitore në rrethin e dytë në komuna si Bërvenica, Studeniçani dhe eventualisht edhe Çashka.

Neve nuk na duhet koalicion siç i nevojitet opozitës që në rrethin e parë, të bëjnë një bashkim, të të pamundurës, ndërmjet VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët. Por konsideroj se edhe kjo është mirë për ta, e përshëndetim, i nxisim që të bashkëpunojnë sa më shumë që është e mundur, sepse vetëm në atë mënyrë, do të kenë sukses, disi t’i afrohen BDI-së, por nuk do të kenë sukses t’i fitojnë zgjedhjet, në të gjitha ato komuna”, tha Grubi nga Tetova, ku BDI-ja përsëri garon me kryetaren aktuale, Teuta Arifi.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe edhe dje përsëriti se situata epidemiologjike do të jetë baza për masat që do të merren në muajt e ardhshëm kur do të ketë regjistrim dhe zgjedhje lokale, por, nëse respektohen protokollet, nuk do të ketë probleme.

“Vitin e kaluar kemi dhënë rekomandime që të mos ketë tubime të mëdha dhe nuk ka pasur dhe ajo që është e rëndësishme është që të gjithë dhe partitë politike duhet të dinë se ka rekomandime se si organizohen tubimet. Dhe tani ka rekomandime të përgjithshme për organizimin e tubimeve ose ngjarjeve në hapësirë të hapur ose të mbyllur- sa duhet të jetë kapacitet i zënë nga kapaciteti i përgjithshëm në dispozicion, distancat që duhen mbajtur dhe në kontekstin e mbajtjes së ngjarjeve brenda protokolleve ne nuk shohim asnjë problem. Pra, ekziston një problem sa herë që protokollet nuk respektohen”, theksoi ministri.

Lista zgjedhore

Siç informuan nga Komisioni Shtetërorë i Zgjedhjeve (KSHZ) deri pardje gjithsej 5164 qytetarë janë kontrolluar në Listën zgjedhore, janë iniciuar 11 kërkesa për regjistrim në Listën zgjedhore, 12 kërkesa për fshirje të të dhënave nga Lista dhe katër kërkesa për ndryshim të dhënave në Listën zgjedhore. Deri në KSHZ në email adresën [email protected] janë dorëzuar gjithsej 17 kërkesa.

Procedura për mbikëqyrje publike në Listën zgjedhore për zgjedhjet lokale të caktuara më 17 tetor do të zgjasë deri më 9 shtator. Mbikëqyrje publike mund të bëjnë në njësitë territoriale dhe zyrat e KSHZ-së si dhe në mënyrë elektronike përmes ueb faqes së Komisionit.

Zgjedhjet, që përsëri do të mbahen me protokolle për mbrojtje nga përhapja e KOVID-19, janë caktuar për më 17 tetor. Rrethi i dytë i zgjedhjeve duhet të mbahet më 30 tetor. Fushata zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve fillon më 27 shtator në mesnatë dhe përfundon më 15 tetor në mesnatë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu