Gjuha dhe muzika që sfidojnë shekujt: Zhvillohet edicioni i 44-të i Festivalit të Këngës Arbëreshe SAN DEMETRIO CORONE (SHËN MITRI)

Shkruan për InfoShqip: Donika Bakiu

Kalabria u kthye sërish në kryeqendrën e kulturës dhe melosit arbëresh. Në sheshin përballë Kolegjit historik të Shën Adrianit, u ul sipari i edicionit të 44-të të Festivalit të Këngës Arbëreshe (Festival della Canzone Arbëreshe), një nga ngjarjet më jetëgjata dhe më domethënëse për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor të arbëreshëve të Italisë.

I themeluar në vitin 1980 nga intelektuali Giuseppe D’Amico, ky festival ka shërbyer prej më shumë se katër dekadash jo thjeshtë si një aktivitet artistik, por si një platformë e gjallë ku gjuha rijetësohet përmes tingujve modernë e tradicionalë. Festivali i shndërroi vargjet shekullore në këngë bashkëkohore, duke u dhënë zë gjeneratave të reja që refuzojnë të lënë në harresë trashëgiminë e të parëve.

Kjo ngjarje madhore sjell çdo vit këngëtarë e artistë anë e mbanë trojeve shqiptare, si konkurrues ashtu edhe si mysafirë, nga kudo ku flitet shqip. Nata finale e edicionit të 44-të mblodhi kompozitorë, solistë e grupe muzikore nga ngulimet e ndryshme të Kalabrisë, Siçilisë e Basilicatës, si dhe mysafirë specialë nga rajoni. Përmes ritmeve që gërshetonin folklorin autokton me rrymat e sotme muzikore, skena përballë Kolegjit të Shën Adrianit përcolli mesazhin e fortë të qëndresës kulturore.

Garës artistike të këtij edicioni i dhanë frymë prurjet e shkëlqyera muzikore:

Fituesit dhe çmimet e mëdha:

Vendin e parë e rrëmbyen artistët Giuseppe Baffa dhe Anna Maria Viteritti nga Santa Sofia d’Epiro (Shën Sofia), me këngën mbretëreshë “Katund i qetur” (Paese silencioso). Me tekst të Anna Ventre, muzikë e aranzhim nga Federico Baffa e Beatrice De Loria, si dhe orkestrim e dirigjim nga Stefano Amato (me mbështetjen e klarinetistes Selene Miracco), kënga solli vargjet prekëse “Thuam ku është ajo shpi, çë u bë si një ënder”, duke përcjellë shpresën e zgjimit.

Vendin e dytë e zuri grupi “Taranta Sounds” nga Plataci (Pllatëni), të cilët u prezantuan me këngën dinamike “Një jetë e re” (Una nuova vita), me tekst të Giuseppe Basile, muzikë e orkestrim nga Maestro Antonio Andrea Marchese.

Vendin e tretë e mori kantautori Aaron Puccio nga Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet) në Siçili, me këngën “Verë o moj verë” (Vino o mio vino), me tekst e muzikë të tij dhe orkestrim nga Maestro Danilo Guido.

Çmimet speciale të jurisë teknike:

Çmimi i Kritikës “Giuseppe D’Amico”: I takoi këngëtarit Alessandro Castriota Scanderbeg nga Rossano me këngën “Vetëm një kujtim”.
Çmimi për Tekstin më të Mirë “Pino Cacozza”: I shkoi sërish këngës fituese “Katund i qetur”. Përtej çmimeve dhe garës artistike, Festivali i Këngës Arbëreshe mbetet një urë e fuqishme lidhëse mes të kaluarës dhe të ardhmes. Edicioni i sivjetshëm dëshmoi edhe një herë se, përballë sfidave të asimilimit gjuhësor, arti dhe muzika mbeten mburoja më e fortë e kujtesës kolektive të arbëreshëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu