“Gjuha e Ramës poshtërsi ndaj shqiptarëve,” gazetari: Klasa politike në RMV, e painteresuar për integrimin e vendit në BE

Bullgaria e hoqi veton që pengonte deri më tani Maqedoninë e Veriut që të vijonte më tej me proceset euro-integruese. Dhe tashmë, topi mbetet në fushën e palës maqedonase. Megjithatë, për gazetarin shqiptar Naser Selmani në Maqedoninë e Veriut shtetit vijon të jetë i kapur dhe demokracia është hibride dhe për këtë arsye rruga do të jetë e gjatë.

“Akti i zgjuar i Bullgarisë për të hequr veton, do ta përballë klasën politike me një dilemë shumë të madhe. Nuk do të mund të shprehin mungesën e vullnetit për të nisur në mënyrë serioze negociatat.

Në një lidhje direkte me “ABC Live”, Selmani u shpreh se faktori bullgar është shumë më pro perëndimor. Dhe, tashmë sipas tij, meraku i palës maqedonase është që të mos humbasë pozicionin që ka aktualisht në nivel kombëtar.

“Maqedonia e Veriut sikur të niste negociatat dhe të vendoste një shtet juridik, të së drejtës, të luftonte krimin e organizuar, ky shtet autoritar që është ndërtuar do të binte. Sllavomaqedonasit mendojnë se vetëm duke kapur institucionet e shtetit do të mund të mbrojnë interesat e tyre etnike. Nëse do të trajtohen të gjithë njësoj, mendojnë se mund të humbasin peshën politike që kanë. Pushtetin e kontrollojnë maqedonasit 100 për qind, shqiptarët e të tjerët, vetëm për të bërë dekor janë.”

Gazetari shqiptar në shtetin fqinj thotë se maqedonasit historikisht janë përpjekur të jenë një Serbi e Vogël. Dhe, sipas tij, për sa kohë vendi nuk ndahet nga ky ndikim i Serbisë, nuk do mund të demokratizohet dhe as të integrohet në BE.

Naser Selmani thotë se Serbisë i leverdis ky ngërç mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut pasi as ajo vetë nuk mund të anëtarësohet në BE pa njohur fillimisht Kosovën.

Nëse zyrtarizohet qëndrimi bullgar, për të zgjidhur kontekstet ndërfqinjësore, as Serbia nuk anëtarësohet dot pa njohur Kosovën…”

Por si janë lexuar komentet e kryeministrit Edi Rama në Maqedoninë e Veriut së fundmi? Gazetari shqiptar thotë se me sjelljen e tij, kryeministri shqiptar po cënon sigurinë kombëtare të shqiptarëve në Shqipëri por edhe të tjerëve kudo në Ballkan.

Sjellja e Ramës, në të paktën që mund të them është e çuditshme. Nuk mund të shkojë të lidhë miqësi me Vuçiçn, pa kaluar mes Kosovës. I turpshëm roli i kryeministrit , që kërcënon shqiptarët me gjuhën e Vuçiç. Më tepër se poshtërsi ndaj shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre jashtë.”- tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu