Grenell “ofertë” Bidenit, kërkon të përfshihet në bisedimet Kosovë-Serbi

Ish i dërguari i posaçëm presidencial për Serbinë dhe Kosovën, Richard Grenell, është vetofruar për të ndërhyrë në dialogun Kosovë-Serbi, disa ditë pasi i kërkoi presidentit Biden të emërojë një të dërguar special për këtë dialog.

Ai këtë deklaratë e tha për The Pavlovic Today, duke komentuar zhvillimet e mbrëmshme në Beograd të bisedimeve të vështira të dy emisarëve të dialogut, Escobar dhe Lajçak, me presidentin Vuçiq, për çështjen e targave dhe dokumenteve të hyrje-daljeve.

“Nëse europianët nuk mund të arrijnë një marrëveshje për të zgjidhur tensionet aktuale në Ballkan, atëherë Shtëpia e Bardhë e Bidenit do të duhet të dalë nga pozicioni i periferisë dhe të krijojë një zgjidhje të pranuar reciprokisht. Nëse Joe Biden nuk di si ta bëjë atë, atëherë unë jam i lumtur të hidhem dhe ta ndihmoj atë”, tha Grenell.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë prerazi tha se nuk do të emërojë emisar special për dialogun Kosovë-Serbi.

Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Ned Price, të hënën ka thënë se presidenti Biden ka “dy ambasadorë të konfirmuar në rajon, të cilët po punojnë aktivisht për këtë çështje në bashkëpunim të ngushtë me BE-në”, tha ai para gazetarëve.

Grenell i kishte bërë thirrje Joe Biden të “përshpejtojë” dhe të emërojë një të dërguar presidencial për Serbinë dhe Kosovën.

“Ajo që na duhet tani është diplomacia me muskuj”, kishte thënë Grenell.

“Ka shumë individë brenda komunitetit të politikës së jashtme që kanë atë gravitacion, që kanë atë aftësi për të hyrë në Zyrën Ovale, që Joe Biden i vlerëson. Ata njerëz duhet të ngrenë dorën dhe të dalin vullnetarë”, tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu