Gruaja shqiptare në biznes që ka realizuar ëndrrën amerikane

Orieta Kristo emigroi nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara në moshën 14 vjeçare, pa ditur pothuajse fare anglisht. Sot ajo është drejtuese ekzekutive e një kompanie të suksesshme sigurimesh që e themeloi para 5 vjetësh, “Horizon Insurance”.

Zonja Kristo është përzgjedhur nga Revista e Biznesit e Usterit, në Shtetin e Masaçusetsit, si një nga 40 profesionistët e suksesshëm nën moshën 40 vjeç për vitin 2019.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zonja Kristo foli për karrierën e saj, balancimin me jetën personale dhe përkushtimin ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan në qytetin e saj dhe në shtetin e Masaçusetsit.

Për Orieta Kriston, vendimi për të hapur një biznes të vetin nuk ishte i lehtë. Ajo kishte një karrierë të stabilizuar, në një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve “Liberty Mutual”.

Por, ajo thotë “Në qoftë se intuita më thotë që kjo është gjë e mirë, kjo është gjë e drejtë dhe që do ia dalësh mbanë, unë futem me kokë, le të themi”.

Zonja Kristo e themeloi kompaninë “Horizon Insurance” në vitin 2014. Sot ajo u shërben 3,500 klientëve në shtetin e Masaçusetsit, duke plotësuar nevojat e tyre për sigurime automjetesh, banesash, të jetës dhe të bizneseve të tyre. Kompania e saj ka siguruar afro 5 milionë dollarë në shitje. 60 për qind e klientelës së kompanisë vjen nga komuniteti shqiptar në zonën e Usterit dhe Bostonit në Masaçusets.

“Këtë komunitet e kam pikë të dobët sepse kur unë erdha fillimisht me familjen time isha vetëm 14 vjeç dhe ka qenë shumë komunitet i vogël, kanë qenë 10 ose 15 familje të sapoardhura nga Shqipëria dhe nuk po flas për shqiptaro-amerikanët”, thotë ajo për valën e dytë të emigracionit të shqiptarëve që kanë ardhur në Uster, pas viteve ’90.

Vala e parë ishte ajo e fillimit të shekullit të kaluar. Zonja Kristo ndihmon komunitetin shqiptaro-amerikan, me punë vullnetare, ose duke dhënë fonde për aktivitete të ndryshme jo vetëm në Uster, siç thotë Mark Kosmo, kryetar i Fondacionit “Global Albanians” në Boston.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu