Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda i është kundërpërgjigjur kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova duke theksuar se Gjykata Speciale nuk mund të zgjedhë se cilin ligj do ta zbatojë, duke nënvizuar ndarjen e kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe gjyqësorit.
Përmes një postimi në Facebook, Gruda ka deklaruar se askush nuk mund t’i diktojë Gjykatës mënyrën e interpretimit të ligjit, por ajo është e obliguar të zbatojë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“E vërtetë që askush nuk mund t’ia diktojë gjykatës se si ta interpretojë ligjin. Por gjykata nuk mund të zgjedhë cilin ligj do ta zbatojë”, ka shkruar Gruda.
Ai ka theksuar se Kuvendi është institucioni që miraton ligjet, ndërsa Gjykata ka përgjegjësinë t’i interpretojë dhe t’i zbatojë ato.
“Ligjet i miraton Kuvendi, ndërsa gjykata i interpreton dhe i zbaton. Prandaj, sapo ligji i ri për Gjykatën Speciale të hyjë në fuqi, Gjykata duhet ta zbatojë”.










