Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me premtimin për përfundimin e autostradës së Gjilanit, duke theksuar se projekti ende nuk është përfunduar.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka rikujtuar se nga premtimi i Kurtit kanë kaluar 3 vjet, 2 muaj e 29 ditë, ndërsa autostrada, sipas saj, vazhdon të mbetet e papërfundua.
Ajo ka përmendur edhe reagimet e shumta të qytetarëve ndaj postimit për këtë premtim, i cili, sipas saj, ka marrë rreth 21 mijë pëlqime, 2,500 komente dhe mbi gjysmë milioni shikime.
Bajrami ka ironizuar mundësinë që Kurti të dalë me një datë të re për përfundimin e projektit, duke e paraqitur atë sërish si lajm të madh.
“Ka ardhë koha që Kurti me dalë me një datë tjetër, me e shpallë edhe një herë si lajm të madh e me i marrë edhe disa dhjetëra mijëra pëlqime nga militantët”, ka shkruar ajo.
Ajo ka kërkuar që politikanët që nuk i mbajnë premtimet, të japin llogari.
“Politikanët që nuk i mbajnë premtimet duhet me dhënë llogari, jo me marrë vota e duartrokitje. Me kërku përgjegjësi nga politikanët nuk është turp, është vetëdije e lartë shoqërore, është kontribut për të ardhmen e fëmijëve tanë. Bëjeni!”, ka shkruar deputetja.










