Gruevski nuk iku duarbosh nga Maqedonia por pasi i zbrazi 35 llogari bankare, ja detajet

Nikolla Gruevski, ka arritur t’i nxjerrë rreth 230 mijë euro pa pasur drojë nga organet e hetuesisë. Ai para se të arratisej ka zbrazur 35 xhirollogaritë e tij bankare brenda shtetit. Nga Policia Financiare për TV21 thonë se nuk është në kompetencë të tyre të përcjellin transaksionet bankare të të akuzuarve, hetim të cilin sipas tyre, do të duhej ta bënte PPS-ja.

Se Gruevski nuk ka asnjë denarë në llogaritë bankare e as ndonjë pronë në emër të tij në Maqedoni, këtë e konfirmoi edhe Prokuroria Publike Speciale. Përderisa ish kryeministri Nikolla Gruevski mori plaçkat me veti dhe tani gëzon statusin e azilit politik në Hungari, sot prokurorja speciale Lile Stefanova, kërkoi paraburgim për të dhe për të gjithë të akuzuarit e tjerë në lëndën “Trajektorja”. Pala mbrojtëse kërkoi të ndahet lënda për Gruevskin, kurse Këshilli gjyqësorë pranoi propozimin e PPS-së, që ai të gjykohet në mungesë.

“Nëse mbrojtja vlerëson se Gruevski duhet të merr pjesë, ai nuk do të arratisej në Hungari”, u shpreh Lile Stefanova, Prokurore Speciale.

Në seancë ishte i pranishëm edhe ish-Ministri i transportit dhe lidhjeve Mile Janakieski, i cili u soll i prangosur nga Burgu i “Shutkës”, ku po vuan masën e paraburgimit 30 ditorë, si preventivë për mos t’u arratisur si ish-shefi i tij, Gruevski.

Ndërkaq, ish-zëvendës kryeministri Vlladimir Peshevski i akuzuari tjetër në këtë rast, nuk deshi sot të komentoj nëse ai e ka radhën që të paraburgoset. Por, ai javën që shkoi në TV21 tha se ish-shefi i tij duhet të kthehet në Maqedoni. Në lëndën “Trajektorja” akuzohen Nikolla Gruevski, Vlladimir Peshevski, Mile Janakievski dhe ish-drejtori për Rrugë Shtetërore, Lupço Georgievski.

Sipas aktakuzës të PPS-së, këta në pjesën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë më shumë veprime ku në procedurën për zgjidhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradës Milladinovci-Shtip dhe Kërçovë-Ohër kanë shkelur kompetencat e tyre. Sipas PPS-së, të akuzuarit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 155 milion eurove./TV21


1 Koment

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu