Hulumtimet tregojnë se VMRO-DPMNE sërish do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme më 11 dhjetor me dallim të madh, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski në fjalimin e tij në takimin e sotëm me përfaqësuesit dhe deputetët e Partisë Popullore Еvropiane (EPP), të cilët marrin pjesë në sesionin vjeshtor të Asamblesë parlamentare të OSBE-së e cila prej dje mbahet në Shkup.
“Në dhjetë vitet e fundit janë zbatuar shumë reforma dhe projekte të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Të gjtiha këto rezultate dhe projekte ishin të njohura nga qytetarët e Maqedonisë. Qytetarët e Maqedonisë votuan për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin që e udhëheqim. Ajo ishte konfirmuar në të gjitha zgjedhjet në dhjetë vitet e fundit. Tani janë zgjedhjet e 11 dhjetorit dhe të gjithë indikatorët tregojnë se sërish do të fitojmë në zgjedhjet me dallim të madh”, tha Gruevski.
Ai shfaqi shpresë se me këto zgjedhje kriza politike në Maqedoni do të përfundojë, dhe se duhet të respektohet vullneti i popullit i shprehur në zgjedhje.
Ai shtoi se para vendit qëndrojnë edhe shumë sfida tjera siç janë reformat ekonomike, të cilat duhet të sillen deri te anëtarësimi në BE dhe NATO. Veçanërisht e theksoi edhe rolin e vendit në ballafaqimin me krizën e refugjatëve dhe atë migruese duke nënvizuar se Maqedonia është vendi kyç i cili kontribuon të mbyllet ruta ballkanike.