Sot në Sofje u mbajt takimi i parë i grupit të përbashkët të punës të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kushtuar përgatitjes dhe realizimit të ndërtimit të tunelit të përbashkët hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8.
Në përputhje me Marrëveshjen, grupi i punës u bashkëkryesua nga zëvendësministrat e transportit të të dyja vendeve. Nga pala e Maqedonisë së Veriut grupin e bashkëkryesoi zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ndërsa nga pala bullgare zëvendësministrja Cveta Timeva.
Përveç zëvendësministres Kaltrina Zekolli Shaqiri në cilësinë e bashkëkryesueses, në përbërje të grupit morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Transportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqësues të Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore, si dhe të Hekurudhave Transport SHA – Shkup.
Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, në cilësinë e bashkëkryesueses, theksoi se ndërtimi i tunelit hekurudhor ndërkufitar përfaqëson një projekt strategjik me rëndësi rajonale, i cili do t’i lidhë hekurudhorisht të dyja vendet dhe do të kontribuojë në transport më të shpejtë dhe më efikas të mallrave dhe udhëtarëve, si dhe do të krijojë mundësi për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.
Në takim, ku u diskutuan aktivitetet kyçe që lidhen me përgatitjen dhe ndërtimin e tunelit ndërkufitar, të dyja palët konfirmuan përkushtimin e tyre për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë në të gjitha fazat e realizimit të projektit.
Gjatë takimit u arrit pajtueshmëri për vendosjen e një dinamike të qartë të aktiviteteve, përcaktimin e detyrimeve konkrete të institucioneve kompetente të të dyja vendeve, si dhe për vazhdimin e përgatitjeve të përbashkëta teknike për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar.
Anëtarët e grupit të punës përcaktuan hapat e ardhshëm në drejtim të sigurimit të mbështetjes financiare dhe koordinimit teknik, duke konfirmuar njëkohësisht përcaktimin e përbashkët për përshpejtimin e realizimit të këtij projekti strategjik infrastrukturor.
Të dyja palët theksuan rëndësinë e Korridorit 8 si një nga korridoret më të rëndësishme evropiane të transportit dhe nënvizuan mbështetjen e fuqishme që Komisioni Evropian ofron për realizimin e tij.
Në përputhje me konkluzionet e miratuara, u dakordua që takimi i radhës i grupit të përbashkët të punës të mbahet në Shkup, ku do të bëhet një pasqyrë e realizimit të aktiviteteve të dakorduara dhe do të përcaktohen hapat e ardhshëm për zbatimin e projektit.
Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit, mbetet plotësisht e përkushtuar në realizimin e projekteve strategjike infrastrukturore dhe në avancimin e infrastrukturës hekurudhore, me qëllim forcimin e lidhshmërisë rajonale dhe integrimin në rrjetin evropian të transportit.










