Haqimi hyn në filma, tani tjetërkush i paska faj pse paska humbur zgjedhjet?

Ish-kandidati për komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadani, është rikthyer me një reagim të ashpër në Facebook, ku kësaj radhe duket se ka hyrë në “filma” duke drejtuar akuza ndaj mediave dhe gazetarëve për rezultatin zgjedhor.

Ramadani pretendon se gjatë fushatës zgjedhore disa portale dhe individë kanë kërkuar pagesa për mbështetje ose intervista, ndërsa tani, sipas tij, po flasin për “shitje” të komunës.

“Sot po shoh reagime nga disa portale dhe individë që e quajnë veten gazetarë, të cilët gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale u rreshtuan në anën tjetër për 500 apo 1000 euro, ndërsa sot marrin të drejtën të flasin për ‘shitje’ të komunës. Ata që janë shitur vetë, mendojnë se çdokush mund të shitet”, shkruan Ramadani.

Ai shton se gjatë zgjedhjeve asnjë medium nuk i ka dhënë përkrahje dhe se e gjithë fushata e tij është zhvilluar me mjete minimale.

“E gjithë fushata ime u zhvillua me mjete minimale – vetëm me një telefon dhe përmes rrjeteve sociale”, thekson ai.

Ramadani ka reaguar edhe ndaj kritikave për punësimin e tij, duke thënë se nuk mban asnjë post publik dhe se është absurde të diskutohet për këtë çështje.

“Nuk mbaj asnjë post publik dhe nuk ka asnjë bazë që të merret kush me mua në këtë formë”, shkruan ai.

Në fund, ai kritikon ashpër disa portale, duke i quajtur “mercenarë të klikimeve”.

“Qëllimi juaj nuk është informimi, por përfitimi, rritja e ndjekësve dhe më pas kërkimi i ‘haracit’ në emër të tyre”, përfundon reagimi i Haqim Ramadani./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu