Haradinaj pas kthimit nga Haga: Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë pak para mesnatës është kthyer nga Haga. Në një deklaratë për mediat ai ka thënë se me të kryer edhe detyrën e raportimit para prokurorëve të Hagës, do t’i kthehet obligimeve në Kosovë.

“Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë”, ka theksuar Haradinaj.

Ai ka komentuar edhe zërat se pas dorëheqjes së tij nuk mund ta ushtroj postin e kryeministrit.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës” është shprehur Haradinaj, derisa ka thënë se çdo kush që mendon që posti nuk duhet mbajtur duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu