Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që Shqipëria ta heqë taksën në “Rrugën e Kombit”.
“E lus presidentin t’i kërkojë Edi Ramës t’ia nisë prej hapit të parë, ta heqë taksën, skanerin… T’ia nisim kështu bashkimin. Unë jam për një bashkim konkret e jo të fjalëve të mëdha. I kisha lutur të gjithë të bëjmë kujdes: Që të mos shkojnë fjalët para punëve”, ka thënë Haradinaj në televizionin publik të Kosovës.
Duke folur për Samitin e Parisit, Haradinaj ka thënë se pret qartësim të situatës lidhur me dialogun me Serbinë.
“Pres një qartësim më të madh se a do të ketë marrëveshje në fund të këtij viti apo jo. Atje do të shkojmë bashkë. Unë nuk do të shkoj atje pa Ahmetin e Limajn, por duhet të vijnë edhe Presidenti e Kryeparlamentari. Jemi duke u konsultuar, e ndajmë çdo materie”, ka thënë Haradinaj.










