Heqja e vetos, Macroni fton presidentin e kryeministrin bullgar

Presidenti i Francës, Emanuel Makron, ka ftuar në takim në Paris, Kryeministrin dhe Presidentin e Bullgarisë, Kiril Petkov dhe Rumen Radev, që t`ua prezantojë propozimin për heqjen e vetos bullgare për nisjen e negociatave aderuese të RMV-së me BE-në, ka njoftuar agjencia bullgare e lajmeve BGNES, duke u thirrur në burime në partitë e koalicionit qeveritar në Sofje.

Sipas burimeve të BGNES, Franca kërkon një zgjidhje të shpejtë për veton bullgare për shkak të dëshirës së Ukrainës që të nis negociatat për anëtarësim në BE dhe do të ishte një sinjal shumë i keq nëse Kievi merr ftesën, kurse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria vazhdojnë të jenë në pritje.

Duke komentuar këto informacione, Kryeministri bullgar, Kiril Petkov ka bërë të ditur se negociatat zhvillohen midis diplomatëve, por vendimin përfundimtar do ta miratojë parlamenti i Bullgarisë.

“Për momentin e di se punohet shumë në nivel të MPJ-së që të shohim të gjitha mundësitë për progres për temën RMV. Por, para kësaj, në nivel profesional midis diplomatëve që të arrihet tek një ide e përgjithshme se si të shkohet përpara. Nuk mund të konfirmojmë asgjë rreth hapave. Që të shmangen keqpërdorimet, pavarësisht se për çka do të dakordohen diplomatët, do të kalojë në Kuvend dhe Kuvendi është instanca e fundit dhe nuk do të ketë asgjë sekrete apo të fshehur nga populli bullgar”.

Plani i Makronit, është që të gjendet një zgjidhje para takimit të KOREPER ku marrin pjesë përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të BE-së, që përgatisin takimit e Këshillit Evropian në nivel ministrash.

Sipas BGNES, në seancën e së premtes të Këshillit bullgar për siguri, ku është biseduar për RMV-në, një përfaqësues i qeverisë ka thënë se Sofja ka marrë premtime nga Parisi se të gjitha kërkesat bullgare do të kyçen në kornizën negociuese dhe se zbatimin e tyre do ta garantojë personalisht Makroni.

Por, një tjetër pjesëmarrës në seancën për Siguri Kombëtare, ka thënë se plani i Makronit përmban propozime që nuk janë tërësisht të qarta dhe nuk është e sigurt nëse Komisioni Evropian mund të jep garanca për zbatimin e tyre në të ardhmen.

Takimi i radhës i Këshillit Evropian është më 23 dhe 24 Qershor, kur paralelisht do të mbahet edhe takimi i BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor./tvklan/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu