Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se është i zhgënjyer që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka shtyrë vendimin për targat e Serbisë.
Hill tha se Qeveria e SHBA-së si dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin për ndërrimin e targave.
Diplomati amerikan theksoi se është i zhgënjyer që ekzekutivi kosovar nuk i zbatoi këshillat lidhur me këtë çështje.
Christopher Hill shtoi se e mirëpret vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga ana e Bashkimit Evropian.
Ai i ftoi palët që të marrin pjesë në mënyrë aktive.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi për ndërrimin e targave ilegale “PR, KM, PE, UR, DJ” në RKS do të hyjë në fuqi më 1 nëntor dhe nuk do të ketë shtyrje të afatit edhe për 10 muaj, siç është kërkuar nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.










