Arben Taravari ka ndryshuar dukshëm retorikën ndaj Artan Grubit. Në janar dhe shkurt të vitit 2025, ai e akuzonte publikisht Grubin se kishte ndihmuar në lirimin e ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov të cilin vetë Taravari e cilësonte si “kasapin e shqiptarëve”.
Më tej, në një deklaratë më 28 janar 2025, në emisionin “Daily Click” në TV21, Taravari iu referua pretendimeve se Artan Grubi dhe ish gjyqtari Enver Bexheti kishin ndihmuar në lirimin e Mijallkovit.
Vetëm pak ditë më vonë, më 4 shkurt, ai e përsëriti këtë pretendim dhe e lidhi çështjen edhe me përfshirjen e Grubit në listën e zezë amerikane.
Por sot, qëndrimi i Taravarit ndaj Grubit duket krejt tjetër.
Taravari tashmë deklaron se Artan Grubi nuk mund të krahasohet me Ivan Stoilkoviqin, duke krijuar një kontrast të fortë me deklaratat e tij të dikurshme.
Atëherë Grubi akuzohej publikisht për ndihmë ndaj personit që Taravari e quante “kasap të shqiptarëve”. Sot, gjuha ndaj tij është dukshëm më e butë.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: çfarë ndryshoi – faktet apo qëndrimi politik i Taravarit?
Nga akuzat e rënda të vitit 2025, te afrimi politik i sotëm me Grubin, ndryshimi në retorikën e Taravarit është i dukshëm dhe kërkon një shpjegim politik.










