Holebas: Jepjani titullin Liverpoolit dhe anuloni sezonin në Ligën Premier

Mbrojtësi i krahut të majtë të Watfordit, Jose Holebas, ka bërë thirrje që sezoni i Ligës Premier të anulohet dhe Liverpoolit t’i dorëzohet titulli i ligës.

Kriza e coronavirusit ka bërë që kampionati anglez, sikurse të gjithë tjerët të pezullohen në mënyrë të pacaktuar dhe ka dyshime nëse sezoni aktual do të përfundojë.

Klubet e Ligës Premier dhe UEFA janë të vendosur që kampionatet e nisura të përfundojnë në një formë, megjithatë, pa ndonjë zgjidhje të qartë kur bëhet fjalë për dhënien e titujve dhe përcaktimin e rënies nga kategoria.

Përkundër këtyre çështjeve, Holebas ka thënë se përpjekjet për të ri-planifikuar garën nuk kanë kuptim dhe se ekipi i Jurgen Kloppit thjesht duhet të shpallet si kampion.

“Sipas mendimit tim, ju duhet të anuloni sezonin, për mua është shumë e qartë”, ka thënë fillimisht Holebas për Sky Sports.

“Unë do t’i jepja Liverpool titullin, ata e meritojnë atë dhe kanë luajtur futboll të jashtëzakonshëm këtë sezon”.

“Ata janë qartë ekipi numër një. Mendoj se nuk ka kuptim të vazhdojmë të ri-planifikojmë gjatë gjithë kohës”, përfundoi mbrojtësi i klubit anglez.

Reds janë 25 pikë epërsi në krye të ligës, por situata në fund të tabelës është shumë e paqartë me gjashtë klube që luftojnë kundër rënies nga kategoria përpara se të pezullohej gara.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu