Një deklaratë e zëvendësit të ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit, Bryan Hoyt Yee, se Serbia nuk mund të ulet njëkohësisht në dy karrige, duke aluduar lojën e dyfishtë në mes të Rusisë dhe BE’së, kishte ngjallur reagime të ashpra në Serbi.
Ministri i jashtëm Ivica Daçiq ishte ankuar për këtë deklaratë edhe drejtpërdrejt te sekretari amerikan i shtetit, Rex Tilerson. Madje, kishte marrë guximin edhe të “këshillonte” atë se kush duhej të merrte vendime në politikën e jashtme të SHBA’ve.
“I tërhoqa vëmendjen në atë se ndryshimet në politikën amerikane duhet të i bëjnë vetëm presidenti, zëvendës-presidenti dhe ministri i jashtëm, duke marrë parasysh që përfaqësuesit e establishmentit të vjetër nuk mund t’a bëjnë këtë, sepse e mbrojnë politikën e tyre të viteve 1990”, kishte thënë Dacic për bisedën e shkurtër me Tillerson në mbledhjen e këshillit të ministrave të OSBE’së në Vjenë.
“Serbia mund të ketë marrëdhënie më të mira me Amerikën, vetëm nëse përqendrohet tek Trump dhe administrata e tij. Kur e them këtë, mendoj në Tillerson dhe Pens, jo në Departamentin e Shtetit. Sepse në departamentin e shtetit ende punojnë njerëzit që e kanë shkruar krejt atë çfarë ka ndodhur në 20-30 vitet e fundit. Ata nuk ndryshojnë mendje”, ishte shprehur ai.










