Sulmi terrorist serb që ndodhi në veri të Kosovës në shtatorin e vitit të kaluar, e në të cilin mori pjesë dhe e organizoi krimineli serb, Milan Radoiçiq, bëri që ky i fundit të përfundojë në listën e Interpol-it si i kërkuar.
E kjo sipas presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, njeriu i cili qëndron prapa Radoiçiqit, krejt kjo ka ndodhur me kërkesën e Kosovës.
“Është shumë e çuditshme (që INTERPOL-i lëshoi një urdhër për Milan Radojicic). Ai nuk është më as nënkryetar i Listës Serbe, por aleat i Vuçiqit. Është pothuajse si Antanta e Vogël, Antanta e Madhe, pra është aleat i Vuçiqit. Sepse ai është aleat i Vuçiqit. Çdo gjë ju ka dështuar nëse nuk e keni sulmuar Vuçiqin”, ka thënë Vuçiq.
Por pavarësisht kësaj, Serbia nuk ka pranuar ende që ta dorëzojë kriminelin Radoiçiq tek Interpol-i.
Lidhur me këtë, analisti Faton Mehmeti thotë se tani është fat për Kosovën që Radoiçiq ka përfunduar në listën e Interpol-it, e jo në zyrën e kryeministrit të Kosovës, ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën.
“Së pari duhet theksuar se është meritë e qeverisë së Kosovës që Radojeçiqi është në Inteprol dhe jo në zyrën e kryeministrit duke bërë pazare me kryeministrin, gjë që ka ndodhur në të kaluarën”, thekson Mehmeti, sipas të cilit, Serbia nuk do ta dorëzojë asnjëherë Radoiçiqin.
“Nuk besoj se Serbia e dorëzon Radojeçiqin, pasi me rënien e tij bie edhe Vuçiqi. Derisa Vuçiqi është në pushtet nuk besoj se ndodh një gjë e tillë, të dy janë në të njëjtën anije dhe po u fundos njëri fundoset edhe tjetri. Në këtë kuptim, Serbia do përdor alibi të ndryshme për mos ta dorëzuar, me perëndimin që duhet të vendos sanksione ndaj Serbisë derisa të dorëzohet krimineli Radojeçiq. Vuçiqi më tepër se ortaku i tij Radojeçiqi e ndjen frikën, të dyve po u vjen fundi, anija e tyre ka nisur përmbytjen”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.
“Me këtë rast, kriminelët tjerët duhet të jenë të shqetësuar dhe frikësuar për fatin e njëjtë që i pret. Andaj, pas Interpolit ndaj Radojeçiqit pres të këtë më tepër stabilitet në veri nga grupet atje, përveç nëse ka mbet ndonjë besnik i Radojeçiqit e si hakmarrje do të tentojnë destabilitet. Edhe pse mundësitë janë të vogla, pasi KFOR dhe Policia e Kosovës janë prezentë me trupa shtesë”, përfundon për “Bota sot” analisti, Faton Mehmeti./BS