Një shtetas i Serbisë është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar në Bërnjak, pasi dyshohet se ka tentuar t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë për të hyrë në mënyrë kundërligjshme në Republikën e Kosovës.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 15 qershor 2026, rreth orës 16:15. I dyshuari u kishte ofruar zyrtarëve policorë 30 euro në këmbim të lejimit të hyrjes së tij në territorin e Kosovës, duke shkelur procedurat ligjore kufitare.
Policia ka bërë të ditur se bankënotat e ofruara si ryshfet janë sekuestruar si dëshmi materiale.
Pas arrestimit dhe intervistimit nga organet kompetente, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.










