Ibrahimi: Komisioni i Venecias edhe njëherë e zbuloi blofin me statusin e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe në RMV

Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka shkruar se mendimi i Komisionit të Venecias në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me të cilin rregullohet edhe përdorimi i gjuhës shqipe, meriton një shpjegim:

“Mendimi i Komisionit të Venecias në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me të cilin rregullohet edhe përdorimi i gjuhës shqipe, meriton një shpjegim:
– përdorimi i gjuhës shqipe në seanca gjyqësore nuk përbën tejkalim të të drejtave të minoriteteve;
– Komisioni i Venecias thotë se “këto janë standarde minimale dhe asgjë nuk e pengon shtetin të garantojë të drejta më të gjera gjuhësore në procedurat gjyqësore, me kusht që kjo të mos pengojë administrimin e duhur të drejtësisë.”
– Maqedonia e Veriut duhet t’i zbatojë këto standarde si minimale, por askush nuk e ndalon atë që t’i ngrejë këto të drejta në nivel më të lartë. Ka plot shembuj në botë (Finlandë, Zvicër, Kanada) ku shteti – në frymë të kohezionit ndëretnik – e ka rritur vëllimin e këtyre të drejtave gjuhësore.
– Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese nuk janë arbitri i kufijve të të drejtave etnike, por vetëm vlerësuesit a mos bie ndesh ligji me kushtetutën.
Megjithatë, një gjë që e kam thënë qëmoti dhe që më duhet ta përsëris është fakti që këtë ligj e kanë dërguar në Komisionin e Venecias dhe ky komision e shqyrton atë në bazë të Konventës së Këshillit të Europës për Mbrojtjen e të Drejtave të Minoriteteve (Pakicave). Kjo flet për atë se shqiptarët në RMV – në bazë të kësaj konvente europiane, por edhe mënyrës si emërtohen në kushtetutë e në ligj – trajtohen si MINORITET/PAKICË ETNIKE.
Ndërkaq ne e dimë se kush janë hartuesit, nënshkruesit dhe pranuesit e Marrëveshjes së Ohrit, që shqiptarët i kategorizon si pakicë. Ata janë këta mburravecët e BDI-së dhe vetë Ali Ahmeti.
Në këtë mënyrë edhe njëherë bien poshtë përrallat e BDI-së se shqipja është zyrtare si maqedonishtja, se shqiptarët janë popull i barabartë me maqedonasit dhe se Maqedonia e Veriut është shtet dygjuhësh.
E se për çfarë arsye “komandantët e Prizrenit” dhe “politikanët e terrenit” i kanë lënë shqiptarët “PAKICË” dhe shqipen “GJUHË TË PAKICËS”, ndërsa gjithë kohës i kanë mashtruar se janë kombi i dytë në RMV dhe se gjuha e tyre është zyrtare, në këtë le të përgjigjen ata që temën më të dashur e kanë “degradimin e shqiptarëve”. Sepse, nuk ka më shumë degradim se ky dhe nuk ka më shumë mashtrim se ky”, ka shkruar Ibrahimi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu