Ikja për një fillim të ri: Ç’shpresojnë të rinjtë rusë në këtë vend të Azisë Qendrore?

Për shkak të mobilizimit të pjesshëm, rusët po largohen nga vendi i tyre. Gazetarja e DW, Madiya Torebayeva takoi kryesisht të rinj rusë që ikën nga mobilizimi dhe shkuan në Kazakistan. Për çfarë shpresojnë ata në vendin e Azisë Qendrore?

Në anën ruse të kufirit me Kazakistanin bien në sy kolonat e makinave të gjata kilometërshe. Turmat më të mëdha janë në pikat kufitare që çojnë në qytetet kazake të Petropavlovsk dhe Uralsk. Takojmë dy meshkuj të moshës rreth 40 dhe 18 vjeç. Ata janë të lodhur duke pritur, por edhe të lumtur që kanë arritur në kufi. Ata flasin të emocionuar se si pas mobilizimit të urdhëruar, të gjitha biletat e avionit për fluturimet nga Rusia, pavarësisht rritjes së papritur të çmimit, u shitën shpejt.

Biletat u rritën nga 100,000 në 300,000 rubla (nga 1,800 në 5,400 euro). Na thonë gjithashtu se janë në pritje të dy miqve që ndodhen në anën tjetër të kufirit. Të gjithë ata shkojnë në Uralsk për herë të parë. Nga atje ata duan të vazhdojnë udhëtimin e tyre në Evropë. Disa kanë të afërm atje, ndërsa disa kanë edhe vizë Shengen që u mundëson hyrjen në shumicën e vendeve evropiane, shkruan Deutsche Welle.

Pse rusët po largohen nga vendi?

Igor është nga Samara, një vend 200 kilometra larg kufirit. Ai kaloi kufirin me Kazakistanin në këmbë. Ai thotë se ka lënë në shtëpi gruan dhe dy fëmijët. Ai priti në radhë për 12 orë për të hyrë në Kazakistan.

“Unë po shkoj në Uralsk për të shpëtuar nga ajo që më kërcënon në vendlindjen time. Miqtë e mi tashmë janë mobilizuar. Unë nuk dua të luftoj, nuk dua të vras ​​dhe nuk dua të më vrasin”, thotë Igor. Kur u pyet nëse ai mbështet veprimet e Kremlinit kundër Ukrainës, Igor nuk pranoi të përgjigjet. Tani ai dëshiron të punojë në Uralsk dhe të monitorojë situatën në Rusi. “Do të kthehem nëse situata ndryshon”, thotë ai dhe shkon te taksitw.

Sanija po largohet nga Rusia me një djalë të ri, sepse siç thotë ajo, “ajo dëshiron të jetë e sigurt”. “Po ikim për shkak të mobilizimit. Nuk na prek ende personalisht sepse i dashuri im është student. Sa të qetësohet gjithçka do të kthehemi, por tani për tani do të qëndrojmë këtu. Jemi të gjithë të rinj, por nuk flasim për politikën e Kremlinit”, thotë Sanija.

Aktualisht, ka shumë të rinj nga Rusia në Kazakistan. Disa vijnë me familjet e tyre, të tjerët vetëm. Por jo të gjithë duan të qëndrojnë. “Pashë në Telegram që Kirgistani dhe Uzbekistani nisën projekte për personelin e IT, diçka si parqe teknologjike. Ka programe të ndryshme mbështetëse. Ndoshta do të shkoj atje,” thotë një nga të rinjtë.

Rrjetet sociale janë plot me oferta pune dhe këshilla për fillimin e një biznesi apo marrjen e lejes së qëndrimit. Ka edhe nga ata që përpiqen të qëndrojnë në Kazakistan përmes martesës. Pothuajse të gjithë tani janë të shqetësuar kryesisht për të gjetur një punë. “Do të doja të shkoja në Kazakistan, por jam i shqetësuar se nuk do të gjej punë dhe më pas nuk do të më lejojnë të qëndroj. Unë jam ende student dhe dua të bëhem programues”, shkruan një përdorues i Telegramit që e quan veten Ivan Frolov.

A kërcënohen me kthim të detyruar?

Shumica e rusëve që vijnë në Kazakistan janë të rinj. Ata do të binin nën valën e dytë dhe të tretë të mobilizimit në Rusi. Disa prej tyre kanë frikë se qeveria ruse mund të miratojë një ligj për kërkimin e njerëzve që do të thirren për shërbimin ushtarak. Atyre u lind pyetja: a do t’i deportonin autoritetet kazake në Rusi në këtë rast?

Ligjet e Kazakistanit nuk parashikojnë dëbimin e të huajve që kërcënohen me mobilizim në një vend tjetër. Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kazakistanit, 1.66 milion qytetarë rusë kanë hyrë në vend që nga janari 2022, dhe 1.64 milion janë larguar. Nga ky numër, 3200 persona, ose 0.2 për qind, kanë shkelur ligjin për migracionin, i cili mund të rezultojë në dëbim.

Aktualisht në Kazakistan jetojnë 20,000 qytetarë rusë. Autoritetet kazake sigurojnë që të gjithë të huajt janë të regjistruar plotësisht me hyrjen në vend. Ministria e Punëve të Jashtme të Kazakistanit thekson se shtetasit e huaj nuk kanë të drejtën e qëndrimit të përhershëm. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu