Pas dekretit për kthimin në kuvend të ligjit për betimin e gjyqtarëve, Meta ka pëcjellë këtë të mërkurë sërish një dekret, duke i kthyer një tjetër ligj në parlament maxhorancës.
Fjala është për ligjin mbi disa ndryshime në statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, ku ndër të tjera i jepeshin më shumë fuqi kreut të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Maxhoranca e ndryshoi ligjin që bën pjesë në paketën e ligjeve të reformës në drejtësi, në kuadër të operacionit ‘Anti-KÇK’, për goditjen e prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar. Sipas ndryshimeve, kreu i ILD-së merr më shumë kompetenca, konkretisht të drejtën për të kërkuar nga KLGJ dhe KLP pezullimin nga detyra të gjyqtarëve apo prokurorëve.
Një ligj i tillë sipas Presidentit Meta cënon rëndë Kushtetutën, parimin e sigurisë juridike dhe deri kapjen politike të sistemit, pasi sipas Kreut të Shtetit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është emërim direkt i qeverisë së socialistëve.
Në dekret, Meta po ashtu zbardh arsyet ligjore në lidhje me rikthimin e tij në kuvend të ligjit që i heq të drejtën Presidentit që të jetë institucioni ekskluziv në përcjelljen e procesit të betimit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Dekretin mbi betimn e gjyqtarëve, Meta e firmosi para protestuesve në tubimin e të hënës, teksa sot ka dhënë të gjithë argumentat ligjorë mbi arsyet që e kanë shtyrë të mos e pranojë ligjin.
Kujtojmë gjithashtu se Presidenti ka paralajmëruar maxhorancës, që nëse nuk e merr seriozisht këtë dekret, atëherë pas 15 marsit ai do të bëhet gati që të firmosë brenda sallës së parlamentit, shpërndarjen e këtij të fundit.










