Imuniteti i ëndrrave, Putini dhe familja e tij s’do të mund të ndiqen penalisht

Dhoma e Ulët e parlamentit rus, Duma, ka mbështetur një projektligj që u jep presidentëve të Rusisë dhe familjeve të tyre imunitet nga ndjekja penale edhe pasi të mos jenë në pozita udhëheqëse të shtetit.

Miratimi i këtij ligji, i cili është pjesë e ndryshimeve kushtetuese të miratuara në referendumin e mbajtur në korrik, nuk rrezikohet pasi mbështetësit e presidentit rus, Vladimir Putin dominojnë në dy dhomat e parlamentit.

Putin ka të drejtë të kandidojë edhe për dy mandate të tjera, ndonëse mandati i tij i katërt përfundon në vitin 2024.

Ky projektligj që përkujdeset për imunitetin e Putinit ka risjellë në skenë spekulimet rreth të ardhmes politike të presidentit rus.

Ai ka qenë në pushtet që prej vitit 2000, duke ushtruar ndikim dhe patronazh të madh.

Kritiku i Putinit, Alexei Navalny, pas këtyre zhvillimeve pyeti në Twitter se;

“Pse Putin ka nevojë për imunitet tani? A mund që diktatorët të tërhiqen me vullnetin e tyre të lirë?”.

Projekt-ligji kaloi një lexim të parë në Duma të martën, ku shumica e deputetëve i përkasin partisë pro-Putin “Rusia e Bashkuar”. Tridhjetë e shtatë deputetë komunistë votuan kundër.

Do të ketë edhe dy lexime të tjera të Dumës, pastaj projekt-ligji shkon në Këshillin e Federatës (dhoma e sipërme) dhe më pas tek vetë Putin për t’u firmosur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu