Një zyrtar policor është goditur nga një veturë të mërkurën në fshatin Bërnjak të Zubin Potokut, pasi shoferi i dyshuar tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes gjatë kontrollit të dokumenteve.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 9 shtator 2026, rreth orës 16:25, kur zyrtarët policorë ndaluan për kontroll një automjet me targa vendore, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë kontrollit të dokumenteve, vozitësi, një mashkull kosovar, dyshohet se ka vënë automjetin në lëvizje me qëllim të largimit nga vendi i ngjarjes. Në këto rrethana, ai ka goditur zyrtarin policor, i cili po ashtu është shtetas kosovar.
Policia ka bërë të ditur se zyrtari i lënduar ka pranuar tretman mjekësor.
Me vendim të prokurorit, rasti është duke u hetuar.










