India çan Himalajet, hap tunelin 712 mln dollarësh që çon ushtrinë në kufirin me Kinën

India ka përfunduar hapjen e supertunelit Zojila që përshkon Himalajet dhe do të lidhë rajonin e Kashmirit me atë të Ladakhut, në kufirin me Kinën. Tuneli mbi 13 km i gjatë ka një kosto të vlerësuar prej 712 milionë dollarësh.

India ka përfunduar zyrtarisht sot hapjen e një tuneli rrugor strategjikisht të rëndësishëm nën vargmalin e Himalajeve që do të lidhë rajonin e kontestuar të Kashmirit me atë të Ladakhut, në kufirin me Kinën.

Në një lartësi prej rreth 3,500 metrash, më shumë se 13 kilometra i gjatë dhe me një kosto të vlerësuar prej 712 milionë dollarësh, tuneli Zojila do të mundësojë lëvizjen e automjeteve midis dy rajoneve gjatë dimrit, kur kalimi ekzistues është i mbyllur për shkak të borës.

Më shumë se 3,000 punëtorë u përfshinë në ndërtimin e tunelit, më i madhi i hapur ndonjëherë në Indi dhe që është planifikuar të jetë i hapur plotësisht për qarkullimin e mjeteve në vitin 2028.

“Nuk është vetëm një tunel, por një lidhje jetësore”, tha sot Ministri i Transportit Rrugor Nitin Gadkari gjatë një eventi.

Kufiri i diskutueshëm prej 3,500 kilometrash që ndan Indinë dhe Kinën është shpesh një pikë e nxehtë midis dy vendeve më të populluara në botë, të cilat garojnë për ndikim në Azi.

Në vitin 2020, një incident i dhunshëm ushtarak atje i vuri të dy vendet ballë për ballë, duke lënë të vdekur 20 ushtarë indianë dhe 4 ushtarë kinezë.

Rajoni me shumicë myslimane i Kashmirit ka qenë në zemër të konfliktit midis Indisë dhe Pakistanit që kur u nda midis dy vendeve në pavarësinë e tyre në vitin 1947.

Pasi të lidhet me rrjetin hekurudhor prej 272 kilometrash të përuruar vitin e kaluar, tuneli Zojila do t’i lejojë ushtrisë indiane, 500,000 ushtarë të së cilës janë të vendosur në Kashmir, të transportojë përforcime në rajonin Ladakh, në kufirin me Kinën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu