Inskenoi vrasjen e bashkëshortes, këshilltari i ish-presidentit Pacolli pranon fajin

Fillimisht u raportua se e ndjera u vra nga disa grabitës, teksa udhëtonte me makinë, bashkë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj të mitur. Mirëpo, ngjarja shumë shpejt mori një tjetër kthesë.

Mbetej e paqartë se si ishte e mundur që bashkëshorti Naim Murseli, ish-këshilltar i Behgjet Pacollit nuk bëri asgjë për të mbrojtur Liridonën, por vetëm nxorri dy fëmijët nga makina.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ka konfirmuar zyrtarisht se në krim është përfshirë edhe bashkëshorti i viktimës.

“Me punë intesive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili sipas dyshimeve ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje.

Vlerësoj lartë angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave që shpiejnë në zbardhjen e këtij krimi të rëndë që mori jetën e të ndjerës Liridonës. Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, thuhet në reagim.

Pas zbardhjes së vrasjes së Liridona Murselit ka reaguar zyrtarisht edhe Policia Kosovës dhe Prokuroria në Prishtinë, teksa thekson se të dyshuarit tashmë ndodhen në komisariat dhe po merren në pyetje për ngjarjen e rëndë.

“”Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.

Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore. Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast,” thuhet në njoftim.

Edhe kryetari i Aleanca Kosova e Re, Behxhet Pacolli ka reaguar sot pas arrestimit nga policia e Kosovës të Ish-këshilltarit të tij Naim Murseli.

Behxhet Pacolli ka përgëzuar policinë e Kosovës e cila po punon për zbardhjen e vrasjes dhe i inkurajon për zbulimin e personave që fshihen pas këtij akti makabër.

‘’I pergezoj policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale që po bëjnë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër ( akt i pa parë ne traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë. Sot, dy fëmijë janë pa nënën e tyre, të cilës jeta u mor në rininë e saj,’’ – shkruan Behxhet Pacolli.

Kujtojmë se Liridona Murseli, 33-vjeçarja u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë. Autorët e ngjarjes kanë qenë dy. Pasi kanë vrarë 33-vjeçaren, ata janë arratisur me makinë. Dy grabitësit kanë qenë me një veturë me targa të huaja, të tipit BMW.

Ndërkohë, vjehrri i Lirdonës foli për emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24. Shaban Murseli tha se djali me nusen dhe dy djemtë e tyre 4 dhe 6 vjeç, jetonin prej vitesh në Suedi dhe se kishin në plan të ktheheshin përfundimisht në Prishtinë. Por tragjedia e 29 nëntorit iu preu ëndrrat në mes.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu