Intelektualët shqiptarë kanë reaguar mbi bisedimet aktuale për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, ata kërkojnë që edhe shqiptarët të jenë vendimmarës në këtë çështje si dhe refuzojnë çdo lloj emri me të cilin do të identifikohen vetëm maqedonasit, shkruan InfoShqip.
Shqiptarët të përfshihen aktivisht në negociatat për emrin dhe nëse Maqedonia dhe Greqia arrijnë marrëveshje, “ajo të mos jetë emër ku do të identifikoheshin vetëm maqedonasit”.
Lartë- poshtë këto do të jenë kërkesat kryesore të memorandumit që përgatisin intelektualë shqiptarë të cilat do të gjenden në tavolinën e kryeministrit Zoran Zaev, tek partitë politike dhe faktori ndërkombëtar, u shpreh Shpëtim Pollozhani, kryetari i Shoqatës së të burgosurve dhe të demtuarve politik shqiptar në Maqedoni
“Shqiptarët kanë legjitimitet historik në këto hapësira dhe duhet të përfshihen në zgjidhjen e emrit. Nuk na pengon të mbetet emri kushtetues, as edhe të vjen në zgjidhje ndonjë emër i ri. Por, me rëndësi është në emrin e ri eventual të shtetit të mos identifikohen vetëm maqedonasit etnik. Në memorandumin që përgatisim, kërkojmë përfshirjen e ekspertëve shqiptarë në procesin, pasi BDI vetëm blanko u jep mbështetje vendimeve të qeverisë së Maqedonisë”, ka thënë Pollozhani.
Përveç Pollozhanit, mes iniciatorëve në memorandum përmenden edhe profesorë dhe intelektualë si Abdulla Mehmeti, Arsim Sinani, Avni Adiu, Nijazi Muhamed etj./InfoShqip.com










