Investimi i madh arab në Durrës: Opozita e çon në Kushtetuese, Rama e quan poshtërsi

Një grup deputetësh opozitarë, 37 sosh, çuan në Kushtetuese çështjen e investimit emiratas në Durrës, në atë që do jetë një Dubai shqiptar, me një port të ri turistik.

Në krye të tyre, Oerd Bylykbashi, tha se “Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër megaaferës korruptive, për marrëveshjen për Portin e Durrësit”.

“Një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa private nën petkun e investitorëve strategjikë por me kompani offshore, pikërisht këtë ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese, shpresojmë që Gjykata do qëndrojë në nivelin që pritet dhe të bëjë detyrën e saj”, theksoi ai.

Kujtojmë që ç’prej kur Rama dha lajmin për investimin e madh arab në qytetin bregdetar, opozita e ka parë atë vetëm si aferë. Dhe, pas aktit të fundit opozitar, duke e çuar në Kushtetuese, Rama ka reaguar ashpërsisht.

“Është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë! Synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed”, shkruan Rama, duke vijuar:

“Akuzat haluçinante kundër një kompanie ardhja e së cilës është përveç të tjerash një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, janë tallja e radhës me ata shqiptarë që akoma i ndjekin pas këta të shitur, pa fe, pa atdhe, pa din e as iman”. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu