Irani tha se asnjë marrëveshje me SHBA-në nuk do të jetë e qëndrueshme “pa garanci gjithëpërfshirëse për sigurinë dhe pavarësinë territoriale të Libanit”, transmeton Anadolu.
“Përmendja e emrit ‘Liban’ tri herë në memorandumin e fundit të mirëkuptimit tregon pozitën strategjike të këtij vendi në procesin e pajtimit”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, cituar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.
“Vendosja e armëpushimit dhe përfundimi i luftës në Liban është pjesë integrale e mirëkuptimit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund luftës”, shtoi ai.
Zëdhënësi theksoi se lirimi i aseteve të ngrira të Iranit dhe kompensimi për humbjet e luftës janë “dy prioritete të rëndësishme ekonomike” në memorandumin e mirëkuptimit të arritur me Washingtonin.
“SHBA-ja është e detyruar të anulojë të gjitha sanksionet primare dhe sekondare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe të agjencisë bërthamore”, shtoi ai.
Detajet lidhur me çështjet bërthamore dhe ekonomike do të plotësohen brenda 60 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes, tha Baqaei duke shtuar se sapo memorandumi të nënshkruhet të premten, të gjitha kufizimet ekzistuese për shitjen e naftës iraniane, produkteve të naftës dhe petrokimikeve “do të hiqen menjëherë”.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, vendi i të cilit udhëhoqi ndërmjetësimin mes Washingtonit dhe Teheranit, njoftoi herët sot se SHBA-ja dhe Irani kanë arritur marrëveshje paqeje dhe se ceremonia e nënshkrimit do të mbahet të premten në Zvicër.










