Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif tha se Teherani nuk dëshiron të rrisë tensionet me Washingtonin, por nuk do të lejojë që Ngushtica e Hormuzit të bëhet e pasigurtë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për televizionin Al Jazeera me qendër në Katar, Zarif tha se ata nuk do të lejonin që SHBA të bëjë Ngushticën e Hormuzit të pasigurtë.
“Irani nuk dëshiron të rrisë tensionet me SHBA-të. Ne kemi deklaruar qartë se Gjiri Persik dhe Ngushtica e Hormuzit janë jetike për ne. Ne dëshirojmë që këto të jenë të sigurta për të gjitha vendet, përfshirë edhe Iranin. Nëse SHBA-të vendosin ta bëjnë Hormuzin për ne të pasigurtë, Irani nuk do ta lejojë këtë”, tha Zarif duke shtuar se rritja e tensioneve me SHBA-në nuk do të jetë në interes të Iranit.
Lidhur me akuzat e vendeve si SHBA, Izrael dhe Arabi Saudite të cilat Irani i cilëson si “burime të destabizilimit në rajon” ministri Zarif tha se “Kush po ndërhyn tani në Sudan dhe Libi? Cilat vende kanë vendosur nën bllokadë Katarin? Kush e bëri planin për grusht shteti në Turqi. Kushtojuni vëmendje ngjarjeve në këto vende. Irani po ndërhyn në këto vende?”.
Zarif tha se “Ekipi B” po bën thirrje për luftë kundër Iranit, me të cilin ai i referohet Këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Selman dhe Princit të Kurorës së Abu Dhabit, Mohammed bin Zayid.
“Kjo nuk është një situatë e re. Bolton, në një artikull që ka shkruar për New York Times në vitin 2015, ka folur për luftë dhe se ai ka rekomanduar sulm bërthamor për të parandaluar që Irani të ketë armë bërthamore”, tha Zarif.
Ministri iranian ka nënvizuar se ndërhyrjet e SHBA-së në Lindjen e Mesme kanë rrënuar rajonin. “Presidenti Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja në rajonin tonë ka shpenzuar 7 trilionë dollarë. Ata kanë shkatërruar rajonin. Duart e tyre janë përlyer edhe me gjakun e amerikanëve që humbin jetën pa ndonjë arsye dhe qëllim”, tha Zarif.









