Irani refuzon armëpushimin e përkohshëm, kërkon fund të luftës në gjithë rajonin

Zv/ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Saeed Khatibzadeh ka deklaruar se Teherani refuzon çdo armëpushim të përkohshëm dhe kërkon përfundim të plotë të luftës në të gjithë rajonin, transmeton Anadolu.

Duke folur për gazetarët në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalya, Khatibzadeh tha se çdo armëpushim duhet të përfshijë të gjitha zonat e konfliktit “nga Libani deri në Detin e Kuq”, duke e cilësuar këtë si një “vijë të kuqe” për Iranin.

“Ne nuk pranojmë asnjë armëpushim të përkohshëm”, tha ai duke shtuar se cikli i konflikteve “duhet të përfundojë këtu njëherë e përgjithmonë”. Khatibzadeh tha se ndërmjetësimi i Pakistanit synon të arrijë këtë objektiv.

Lidhur me Ngushticën e Hormuzit, ai tha se kjo rrugë ujore historikisht ka mbetur e hapur, duke shtuar se ajo ndodhet brenda ujërave territoriale të Iranit, por ka qenë prej kohësh e qasshme.

Ai akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për shkaktimin e paqëndrueshmërisë në rajon, duke theksuar se veprimet e tyre kanë ndikuar negativisht tregtinë globale dhe ekonominë më të gjerë.

Khatibzadeh tha se Irani mbetet i përkushtuar për ta mbajtur Ngushticën e Hormuzit të hapur, por sinjalizoi se mund të vendosen marrëveshje të reja në dritën e situatës aktuale, përfshirë çështje të sigurisë, kalimit të sigurt dhe shqetësimeve mjedisore.

Ai shtoi se një zgjidhje e qëndrueshme e konfliktit, së bashku me atë që e quajti largim nga “qëndrimet maksimaliste” të SHBA-së, do të siguronin që Ngushtica e Hormuzit të mbetet një rrugë e qëndrueshme për tregtinë globale.

Shefi i ushtrisë së Pakistanit, gjeneral Asim Munir ka qenë në Teheran që nga e mërkura, duke zhvilluar takime me zyrtarë iranianë, përfshirë presidentin Masoud Pezeshkian, kryeparlamentarin Mohammad Bagher Qalibaf dhe kryediplomatin Abbas Araghchi.

Munir gjithashtu zhvilloi bisedime me zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë si pjesë e përpjekjeve për ndërmjetësim për t’i dhënë fund konfliktit.

Më herët, Pakistani ka pritur negociata pas ndërmjetësimit të një armëpushimi 14-ditor mes SHBA-së dhe Iranit më 8 prill, pas ofensivës ushtarake SHBA-Izrael kundër Iranit që nisi më 28 shkurt.

Liderë botërorë dhe zyrtarë të lartë po marrin pjesë në Forumin e Diplomacisë në Antalya në Turqi nga 17 deri më 19 prill, me fokus në sfidat globale dhe tensionet rajonale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu