Irani sërish sulm kibernetik ndaj Shqipërisë

Sërish ka pasur një sulm kibernetik nga Irani ndaj Shqipërisë. Kështu bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përmes një postimi në Twitter tha se sulmi kibernetik është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS, raporton Telegrafi.

“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, shkruan Rama.

Ndryshe, më 15 korrikun Shqipëria u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

Pas kësaj, kryeministri Edi Rama gjatë kësaj jave mori vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Ai pas këtij vendimi, kërkoi që brenda 24 orëve ambasadori dhe stafi të largohen.

Pas këtij vendimi të Qeverisë shqiptare, këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan zhvilloi një bisedë telefonike këtë të enjte me kryeministrin Edi Rama.

Përmes një deklarate nga Shtëpia e Bardhë, bëhet e ditur se Sullivan shprehu mbështetjen të Shteteve të Bashkuara pas sulmit kibernetik të Iranit më 15 korrik.

Më tej u bë e ditur se SHBA i vendosi sanksione Iranit për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) ka caktuar sot Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS) dhe ministrin e tij të Inteligjencës si përgjegjës për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Thesarit.

Ndërkaq, Teherani zyrtar ka dënuar vendimin e Shqipërisë për t’i dhënë fund marrëdhënieve diplomatike me Iranin, duke hedhur poshtë arsyet e Tiranës për këtë lëvizje si “pretendime të pabaza”.

Të paktën që nga viti 2007, MOIS dhe përfaqësuesit e tij të akterëve kibernetikë kanë kryer operacione keqdashëse kibernetike duke shënjestruar një sërë organizatash qeveritare dhe sektorin privat në mbarë botën dhe sektorë të ndryshëm të infrastrukturës kritike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu